Aktualitet

Kush ka kartën e studentit, do e blejë biletën e filmit 'I love Tropoja' me gjysmë çmimi

Kush ka kartën e studentit, do e blejë biletën e filmit 'I

Të gjithë ata që kanë kartën e studentit, do të përfitojnë biletën e filmit më të ri të Ermal Mamaqit ‘I love Tropoja’ me gjysmë çmimi, nga 10 mijë lekë të vjetër në 5 mijë lekë. Filmi do të shfaqet në datat 29 janar-12 shkurt në Pallatin e Kongreseve. Sot Ermal Mamaqi u takua me kryebashkiakun Erion Veliaj i cili dha lajmin për çmimin e biletës të përgjysmuar për studentët që janë pajisur me kartën.

Veliaj tha:

“Jam shumë i lumtur sot që gjeta një surprizë fantastike në zyrën time. Një skuadër nga Tropoja ka mbërritur në Bashkinë e Tiranës. Thonë që ka prodhuar një film që quhet “I love Tropoja”. Thonë që ka pushtuar Pallatin e Kongreseve për disa ditë, thonë madje, kjo është shumë e mirë për të qenë e vërtetë, që do të japin gjysmë çmimi të gjithë studentëve në Tiranë me Kartën e Studentit. Nëse këto janë të vërteta, do të duhet që t’i zbulojmë nga vetë producenti, shkëlqesia e tij Ermal Mamaqi që na ka nderuar me gjithë miqtë e tij nga “I love Tropoja””.

Ermal Mamaqi tha se mjafton që të rinjtë të paraqesin kartën e studentit dhe do të mund të shohin sa herë të duan filmin duke përfituar 50 % ulje.

“Dua që t’i ftoj të gjithë studentët, edhe ata që kanë ngelur dhe kanë akoma kartën, në Pallatin e Kongreseve, nga data 29 Janar-12 Shkurt, mund të vijnë të paraqesin këtë kartën. 6 orare në ditë, duke filluar nga ora 11:00 e paradites deri në 12 të natës. Me këtë kartën përfitohet 50% ulje. Kujdes, jo te kokoshkat, vetëm për biletat”, u shpreh Mamaqi.

Me kartën e studentit, siç ka bërë me dije bashkia Tiranë, përfitohen shumë shërbime; tarifa të reduktuara dhe oferta të dedikuara, si nga institucionet publike ashtu edhe nga subjektet private. Pasja dhe paraqitja e kartës është e detyrueshme nga ana e çdo studenti për përfitimin e këtyre avantazheve. / Tiranapost.al.