Lajme nga Bota

101-vjeçari ish-roje i kampit nazist dënohet me 5 vjet burg për vrasjen e mbi 3 mijë të burgosurve

101-vjeçari ish-roje i kampit nazist dënohet me 5 vjet burg për

Një gjykatë gjermane ka dënuar me pesë vjet burg një ish-roje të kampit nazist 101-vjeçar. Pensionisti është personi më i vjetër deri më tani që është akuzuar për bashkëpunim në krimet e luftës të Holokaustit.

Prokurorët e akuzuan pensionistin për përfshirje në vrasjen e 3,518 të burgosurve në kampin Sachsenhausen midis 1942 dhe 1945.

Burri, i cili tani jeton në shtetin e Brandenburgut u deklarua i pafajshëm gjatë gjithë gjyqit. “Nuk e di pse jam këtu”, tha ai sërish në mbyllje të procedurës. Në marrje në pyetje, i pandehuri tha se nuk ka bërë asgjë. Ai mohoi të kishte njohuri për krimet e mëdha që ndodhën në Sachsenhausen, duke thënë se ai kishte qenë një punëtor ferme në kohën në fjalë.

Ndërsa prokurorët pohojnë se ai me vetëdije dhe dëshirë mori pjesë në krime si roje në kamp.

Çfarë ndodhi në Sachsenhausen?

Mbi 200,000 njerëz - kryesisht hebrenj, por edhe anëtarë të komunitetit rom, kundërshtarë të regjimit dhe homoseksualë - u burgosën në Sachsenhausen midis 1936 dhe 1945 për asnjë arsye tjetër përveç identitetit të tyre fetar dhe etnik, seksualitetit ose bindjeve politike.

Dhjetëra mijëra vdiqën nga puna e detyruar ose si rezultat i eksperimenteve joetike mjekësore, urisë dhe sëmundjeve, përveç akteve të vrasjeve masive që ndodhën atje. Gjashtë milionë hebrenj u vranë gjatë Holokaustit.

Trupat sovjetike mbërritën së pari për të çliruar kampin në veri të Berlinit në qytetin Oranienburg në 1945.