Lajme nga Bota

50 milion euro nga buxheti i shtetit për pacientët që kanë kaluar COVID në Itali

50 milion euro nga buxheti i shtetit për pacientët që kanë

Qeveria italiane ka miratuar një fond prej 50 milion eurosh që do të alokohen në ndihmë të pacientëve që kanë kaluar COVID-19, për t’i ndihmuar me fazën e rikuperimit të tyre.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza që ka thënë se këto fonde do të vihen në dispozicion të Shërbimit Publik Shëndetësor për të mundësuar kujdesin falas në klinikat shtetërore të të gjithë atyre që kanë vuajtur nga COVID dhe mund të kenë sëmundje të tjera pas tij për shkak të rënies së imunitetit. Gjithashtu, ky fond do të përdoret që të gjithë këta individë të mund të bëjnë ekzaminime mjekësore (check-up) falas sa herë që ta gjykojnë të nevojshme.

Ky vendim është marrë pasi komuniteti mjekësor ka vënë re që shumë pacientë të cilët kalojnë COVID-in, vuajnë pasojat e sëmundjes të cilat manifestohen në probleme me frymëmarrjen, shtim të riskut të sëmundjeve kardio-vaskulare, dobësi të përgjithshme, por edhe probleme të një natyre psikologjike që kërkojnë vëmendjen e ekspertëve psikiatër.

Italia është shteti i parë në perëndim që mendon për trajtimin post-COVID të pacientëve, kjo edhe falë ritmit të shpejtë të vaksinimit që mundëson imunizimin dhe tejkalimin e krizës sanitare që e goditi këtë shtet më shumë se vendet e tjera në Europën perëndimore.

Tiranapost.al