Lajme nga Bota

A mund të jetë Giorgia Meloni kryeministrja e parë grua e Italisë?

A mund të jetë Giorgia Meloni kryeministrja e parë grua e

Ndonëse në dukje partia “Vëllezërit e Italisë” mban marrëdhënie të afërta me partinë tjetër të së djathtës ekstreme në Itali, LEGA e Matteo Salvinit, rivaliteti është shumë i fortë si në politikat parlamentare ashtu dhe në garën për votën e pakënaqur në vend.

“Bashkë së shpejti do të krijojmë qeverinë që italianët meritojnë, paçka atyre që duan të na përçajnë”- ka shkruar në Twitter, Giorgia Meloni në përgjigje të urimit të Salvinit për ditën e nënës.

Rivaliteti mes dy partive të së djathtës radikale është thelluar pasi Salvini vendosi t’i bashkohet qeverisjes me bazë të gjerë së Mario Draghi-t, duke lënë “Vëllezërit e Italisë” të vetmen parti realisht opozitare në parlamentin italian. Ky fakt është reflektuar edhe në sondazhet e opinionit publik, ku për herë të parë partia e Meloni-t ka 18% të mbështetjes, vetëm 4 pikë përqindjeje më pak se LEGA duke e futur Meloni-n në garën për të qenë kryeministre, në bazë të marrëveshjes brenda së djathtës se partia që merr më shumë vota ka të drejtën e përzgjedhjes së kryeministrit.

Sipas të gjitha indikacioneve e djathta e cila përbëhet nga partia e Melonit, Salvini dhe Berlusconi do të kalojnë masën 40% që duhet për formimin e qeverisë të vetëm dhe me zgjedhjet e ardhshme në vitin 2023, Meloni ka të gjitha mundësitë të jetë e parë mes të djathëve.

Në rast se do të fitonte ajo do të ishte kryeministrja e parë grua italiane, një arritje mbresëlënëse në kushtet kur në zgjedhjet e vitit 2018 ka marrë vetëm 4% të votave. Pjesa më e madhe e votave është marrë pikërisht nga partia e Salvinit që përpara pandemisë arriti edhe shifrat 34% në sondazhet e opinionit publik.

Meloni është tashmë kërcënim më i madh i Salvinit për postin e kryeministrit sesa Matteo Renzi dhe e gjithë e majta e marrë së bashku.

Cili është sekreti i suksesit të saj? LEGA vuajti kostot e bashkëqeverisjes që dështoi shpejt me Lëvizjen “5 yjet” dhe për këtë arsye mes konservatorëve dhe nacionalistëve italianë kjo parti ngjan “më e pastër” nga pikëpamja ideologjike dhe më konsistente në qëndrimet e saj “anti-establishment”.

Ndonëse themeluesit e partisë kanë lidhje me Lëvizjen Sociale Italiane që u krijua në vitin 1945 si parti në mbështetje të politikave të Mussolinit, origjina e partisë mesa duket nuk përbën problem për imazhin e saj publik dhe shanset për t’u zgjedhur në drejtim të një prej shteteve më të rëndësishme të BE-së.

Të qënit opozita e vetme në vend gjithashtu ka shumë avantazhe për imazhin dhe performancën elektorale të një partie, pasi përfaqëson dhe mishëron të gjithë pakënaqësitë e atyre që nuk bien dakord me qeverinë (shumicën e rasteve gati gjysma e njerëzve detyrimisht pritet të jenë kundër qeverisë). Por, ky pozicion mundëson që partia të marrë në kontroll edhe komitete të veçanta parlamentare dhe akses në çështje të rëndësishme shtetërore që kanë të bëjnë me shërbimet e inteligjencën dhe shërbimet publike.

Gjithashtu, partia më e madhe opozitare duhet ligjërisht të marrë 1/3 e kohës së mbulimit mediatik në televizionet shtetërore, çka i ka rritur shumë vizibilitetin kësaj partie që deri para disa vitesh ishte periferike.

Për më tepër pozicioni i bindur në opozitë i Meloni-t, ka krijuar një problem të madh imazthi për Salvini-n që i duhet të jetë me një këmbë në opozitë dhe me tjetrën në pushtet, çka e rrënon imazhin e tij, veçanërisht me votuesit e pakënaqur.

Një “tentativë” për largimin e Meloni-t duket se ka qenë ajo e propozimit të saj si kandidatja e përbashkët e së djathtës për Bashkinë e Romës, si një mënyrë për ta eliminuar nga gara kryeministrore, por vetë Meloni e ka refuzuar kategorikisht këtë propozim.

A do të jetë, pra Giorgia Meloni, një figurë aspak feministe apo simpatizuese e ideve liberale si kuotat gjinore dhe barazia, gruaja e parë kryeministre e Italisë? Koha do ta tregojë!

Përshtatur në shqip nga POLITICO/ tiranapost.al