Gara kokë më kokë Trump-Harris ndez dhe përçan Amerikën, por ndan edhe miliarderët amerikanë. Në mënyra ndonjëherë befasuese ose ekstreme. Më i përkushtuari është Elon Musk, i cili e mbështet ish-presidentin me dhjetëra (ndoshta qindra) miliona dollarë donacione dhe përdor rrjetin e tij, X, për ta mbështetur dhe tallur Kamala Harrisin. Elon shfaqet gjithnjë e më shpesh në skenë në mitingjet e Trump (do të jetë me të në Madison Square Garden në Nju Jork). Tim Walz (zëvendës i Harris) thotë se është ai kandidati i vërtetë si zëvendës i Donaldit,, jo JD Vance.
Në skajin tjetër gjejmë Jeff Bezos, manjatin e Amazon dhe kundërshtarin e Musk që e ka tallur gjithmonë atë. Trump e ka konsideruar gjithmonë armik, veçanërisht si pronar të Washington Post, një gazetë progresive. Në të kaluarën, Bezos iu kundërvu, por disa muaj më parë ai ndryshoi tonin duke deklaruar, disa orë pas sulmit të Butler, se “Trump tregoi guxim të jashtëzakonshëm nën zjarrin e një vrasësi”.
Dhe dje, ai detyroi redaksinë e gazetës së tij të mos mbështeste Kamala Harrisin, duke thyer një traditë që zgjat prej gjysmë shekulli. Drejtuesi i kompanisë Will Lewis flet për një kthim në origjinë duke mos dhënë indikacione politike, por shumë e shohin si dorëzimin e Bezosit ndaj kërcënimeve të Trump për hakmarrje: Washington Post vazhdon të mbështesë kandidatët për zgjedhje lokale.
Miliarderë të tjerë, dikur anti-Trump, heshtin sot: frika apo mungesa e entuziazmit për Kamalën? Kjo vlen për Warren Buffett të Berkshire, “orakullin e Omahas”, për bashkëthemeluesin e Google, Sergey Brin (8 vjet më parë “thellësisht i ofenduar nga zgjedhja e Trump”, sot hesht). Heshtin gjithashtu Steve Ballmer (ish-CEO i Microsoft) dhe Ray Dalio (kreu i Bridgewater, hedge fund më i madh në botë).
Më pas rastet kontroverse të Mark Zuckerberg (demokrati, i quajtur nga Trump si armik, tani thotë se nuk dëshiron të përfshihet në politikë dhe kur Donaldi pretendoi se themeluesi i Facebook-ut i kishte thënë që nuk kishte dëshirë të votonte demokratër këtë herë , ai u kufizua me një mohim lakonik).
Jamie Dimon, bankier demokrat, në krye të gjigantes JP Morgan Chase për njëzet vjet, kishte bërë zhurmë muaj më parë duke i ftuar njerëzit të mos shihnin vetëm aspektet negative të politikave të Trumpit. Kur ish presidenti publikoi një mbështetje të rremë në rrjetet e tij sociale, Dimon e mohoi atë, duke thënë se ai nuk mban anë (me siguri mbetet një demokrat në zemër, ashtu si edhe gruaja e tij që mbështet Kamalan).
Thuhet se Wall Street mbështet Trumpin që premton taksa më të ulëta për bizneset dhe të pasurit, por lista e donatorëve miliarderë për Kamalan, e publikuar nga Forbes është më e gjatë se ajo e Trump (81 me 52). Dymbëdhjetë prej tyre shpjeguan në një letër zgjedhjen për demokratët: “Mbrojtja e shtetit ligjor, stabiliteti, mjedisi konstruktiv i biznesit, më të rëndësishme se taksat”.
Në krye të fansave të Kamalës thuhet të jetë Bill Gates, i cili sipas New York Times i ka dhuruar 50 milionë dollarë, por ai nuk e konfirmon dhe shton: “Unë nuk u them të tjerëve se si të votojnë”. Sponsorë të tjerë të mëdhenj të Harris janë Reid Hoffman (LinkedIn), Reed Hastings (Netflix), Eric Schmidt (ish-kreu i Google), George Soros dhe Michael Bloomberg. Mes miliarderëve për Harrisin edhe Taylor Swift, Bruce Springsteen, regjisori Steven Spielberg dhe ylli i basketbollit Magic Johnson.
Me Trump, përveç Musk, kreun e Blackstone Steven Schwarzman, Paul Singer i fondit Elliott, Steve Wynn, mbreti i kazinove në Las Vegas, Larry Ellison (Oracle), Roger Penske (automobila) dhe Marc Andreessen, kapitalist i madh sipërmarrës i Silicon Valley.
*Ky artikull u publikua nga bota.al dhe u ripostua nga Tiranapost.al