Lajme nga Bota

Angela Merkel refuzon detyrën që iu ofrua në OKB

Angela Merkel refuzon detyrën që iu ofrua në OKB

Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel i ka thënë jo një oferte për punë në Kombet e Bashkuara.

Burimet e OKB-së konfirmuan se Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres, i kishte kërkuar Merkelit të drejtonte një panel këshillues mbi një "axhendë të përbashkët" për qeverisjen që u krijua pas pandemisë në fund të vitit të kaluar.

"Merkel foli me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së javën e kaluar, e falënderoi dhe i tha se nuk do ta pranonte ofertënl ", tha zyra e saj në një deklaratë, duke konfirmuar raportimet e mediave.

67-vjeçarja Merkel u largua nga detyra muajin e kaluar dhe u pasua nga socialdemokrati Olaf Scholz në krye të një koalicioni trepalësh me të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë pro-biznesit.

Megjithë spekulimet se çfarë mund të bënte më pas, Merkel la të kuptohet që tani dëshiron të ketë një jetë të qetë.

Megjithatë, ndihmësja e saj për një kohë të gjatë Beate Baumann zbuloi muajin e kaluar se ata po bashkëpunonin në përmbledhjen e kujtimeve politike të Merkelit, një projekt që mund të zgjasë dy deri në tre vjet.