Lajme nga Bota

Askush nuk duhet të detyrohet të bëjë vaksinën! Por krijimi i tyre kaq shpejt lidhet me tre arsye pozitive

Askush nuk duhet të detyrohet të bëjë vaksinën! Por

Pak muaj më parë, teksa pandemia vijonte të merrte jetë dhe të infektonte qytetarë në gjithë botën, disa ekspertë me pesimizëm thonin se duhet të mësohemi të jetojmë me virusin, pasi vaksina me gjasë do të vonojë shumë. Tani jemi në prag Krishtlindjesh. Dhe lajmi i mirë që kemi është se janë tre vaksina që janë më pranë prodhimit në masë dhe me gjasa që ta marrim në muajt e parë të vitit të ri, që do na mundësojnë imunizimin dhe rikthimin në normalitet.

Megjithë këtë lajm pozitiv, ka shumë njerëz të shqetësuar për sigurinë e këtyre vaksinave, për shkak edhe të shpejtësisë së prodhimit duke ndjekur procedura urgjente. Frika e tyre shtohet pasi po të marrim shembullin e vaksinës së Oxford nga kompania AstraZeneca, përdoret një adenovirus i modifikuar gjenetikisht që u shkakton shimpanzeve një version të ftohjes së zakonshme. Adenovirusët e tillë nuk është se janë të rrezikshëm dhe nuk mund të shkaktojnë sëmundje te njerëzit, por një terminologji e tillë sjell një pasqyrim të manipulimit në dukje të keq biologjik. Të tjerët mund të fajësojnë faktin se ndërsa shumë prej vaksinave më të zakonshme kërkuan dekada për t'u zhvilluar dhe miratuar, ne tani kemi vaksina për të cilat sjemi të sigurt.

A është braktisur kontrolli i zakonshëm i ilaçeve të reja?

Si specialist në këtë fushë, profesori Brendan Wren thotë se nuk mund të shuajë frikën tek të gjithë. Megjithatë ai thekson se krijimi i këtyre vaksinave nuk është bërë i nxituar në mënyrë të rrezikshme.

Për Daily Mail ai tregon se çfarë po ndodh aktualisht me vaksinat dhe përballja me anti-Vaxers. Ai shprehet kundër planeve që udhëtimet ndërkombëtare apo pjesëmarrja në evente të mëdha të kërkojë një certifikatë vaksine, pasi e quan si një privim të lirisë. Ai thekson se në vend që të sulmohen ata që janë kundër vaksinës, të binden me argumente dhe fakte se kjo është gjëja më pozitive që po ndodh.

Brendan Wren:

Për ata që shqetësohen se diçka mund të shkojë papritmas keq për dy vjet, të jeni të sigurt se gjithçka që dimë për vaksinat do të thotë se një skenar i tillë nuk është më i mundshëm statistikisht.

Provat kanë qenë të hollësishme, duke përfshirë më shumë se 100,000 vullnetarë, midis tyre disa nga kolegët e mi në London School of Hygiene & Tropical Medicine. Ata individë, e kspertë të vaksinave nuk ka gjasa të kenë dalë vullnetarisht për të marrë pjesë nëse kishin dyshime serioze në lidhje me sigurinë dhe ata mund të dëshmojnë për efikasitetin e provave.

Disa mund të argumentojnë se një kampion prej 100,000 vetësh është shumë i vogël. Kur vaksinimi rritet, me dhjetëra miliona njerëz në këtë vend dhe miliarda në të gjithë botën që vaksinohen, a nuk kemi më shumë gjasa të shohim shfaqjen e efekteve anësore?

E vërteta është se si numri ashtu edhe larmia e vullnetarëve në provat aktuale të vaksinave janë të mëdha sa i përket statistikave për të nxjerrë konkluzione të forta. Dhe ndërsa vaksinat Covid janë zhvilluar shumë më shpejt sesa zakonisht, ka tre arsye pozitive për këtë.

Së pari, shkalla e kërcënimit veproi si një katalizator i jashtëzakonshëm për veprim të shpejtë, duke inkurajuar inovacionin, zgjuarsinë dhe kreativitetin, ashtu si Lufta e Dytë Botërore nxiti shpikje pioniere të tilla si motori i avionit, radari dhe kompjuterat.

Së dyti, shkencëtarët nga e gjithë bota kanë bashkëpunuar në një shkallë të paparë, duke përshpejtuar kërkimet. Sapo Kina filloi të ndajë të dhënat e saj jetike për sekuencën e ADN-së së koronavirusit të ri, studiuesit ishin në gjendje të identifikonin me shpejtësi proteinën spike.

Së treti, ka pasur hapa të jashtëzakonshëm në zhvillimin e vaksinave në vitet e fundit, veçanërisht në prag të epidemive të SARS dhe MERS - të dy llojet e koronavirusit - që goditën Azinë dhe Lindjen e Mesme përkatësisht në 2002 dhe 2012.

Që nga fillimi, lufta jonë kundër Covid-19 u ndërtua në trampolinë të dijes. Të jem i qartë: Të dy llojet e vaksinave AstraZeneca dhe PfizerNBiotech janë të sigurta dhe do të isha i lumtur të bëja njërën ose tjetrën. Nuk ka asnjë provë të ndonjë efekti anësor serioz nga ndonjë prej vaksinave dhe unë dyshoj seriozisht se do të dalë ndonjë gjë e tillë.

Fëmijët ndoshta do të jenë të fundit që do të marrin vaksinën. Por ato nuk duhet të injorohen plotësisht, sepse ende mund të përhapin virusin.

Pavarësisht nga përfitimet, do të ishte e gabuar që vaksinimi të bëhet i detyrueshëm. Mund të ndodhë që udhëtimet ndërkombëtare dhe pjesëmarrja në ngjarje masive të tilla si koncerte ose ndeshje futbolli të kërkojnë një ‘vërtetim të imunitetit’ pra që vërteton se ke bërë vaksinën. Por unë mendoj se ky lloj kufizimi i lirisë nuk duhet të bëhet universal.

As liria e fjalës nuk duhet të kufizohet duke kriminalizuar mesazhet anti-vaksinave në internet ose diku tjetër. Mënyra më e mirë për t'u marrë me anti-vaxers nuk është t'i bësh martirë, por të sfidosh argumentet e tyre boshe.

Rezultatet e vaksinave le të jenë arma më e mirë në fushatën për pranimin e tyre. Dhe me kalimin e çdo dite, këto rezultate po duken gjithnjë e më mbresëlënëse.

Artikulli i marrë nga Daily Mail, përkthyer dhe përshtatur në shqip Tiranapost.al.