Lajme nga Bota

Austria do të izolojë në shtëpi të pavaksinuarit

Austria do të izolojë në shtëpi të pavaksinuarit

Austria e quan situatën e tanishmë ‘pandemi të pavaksinuarish”. Nëse pak më parë izoloheshin të infektuarit, radhën për t`u izoluar gjithashtu në shtëpi do ta kenë të pavaksinuarit.

Lajmi vjen pas një takimi të së premtes në mbrëmje midis kancelarit Alexander Schallenberg dhe ministrave. Fokusi i mbledhjes së tyre ishte rritja e menjëhershme e shifrave të të infektuarve.

“Pandemia nuk është lënë ende pas”, tha Schallenberg. “Ne jemi në prag të përballjes me një tjetër pandemia, atë të të pavaksinuarve”, shtoi ai.

Schallenberg paralajmëroi se nëse numri i pacientëve me Covid në njësitë e kujdesit intensiv arrin në 500, ose 25% e kapacitetit total të vendit, hyrja në biznese si restorante dhe hotele do të lejohet vetëm për ata që janë vaksinuar ose janë shëruar nga virusi.

Nëse numri arrin në 600, ose një e treta e kapacitetit total, qeveria planifikon të vendosë kufizime për njerëzit e pavaksinuar. Në këtë rast, ata do të lejohet të dalin nga dera e shtëpisë vetëm për arsye specifike.

Aktualisht, numri i pacientëve me Covid në kujdesin intensiv është 220.

Në javën e kaluar, Austria ka raportuar 20,408 raste të reja infektimesh, sipas autoriteteve shëndetësore, duke e çuar mesataren 7-ditore në 228.5 për 100,000 njerëz. Një javë më parë, kjo shifër ishte 152.5 për 100,000 njerëz.

Aktualisht 65.4% e popullsisë totale ka marrë një dozë të vaksinës dhe 62.2% janë vaksinuar plotësisht.