Një aeroplan kinez shpërtheu në flakë gjatë ngritjes mëngjesin e sotëm, në qytetin jugperëndimor të Chongqing.
Është makthi më i keq i çdo udhëtari, por për fat të mirë pati vetëm lëndime të lehta mes 113 pasagjerëve dhe nëntë anëtarëve të ekuipazhit, tha Tibet Airlines në një deklaratë.
Pamjet e telefonave celularë kanë kapur momentin e tmerrshëm kur avioni i Tibet Airlines u përfshi nga flakët, teksa pasagjerët ia mbathën me vrap në asfalt - disa u detyruan të hidheshin nga avioni.
Në total, 36 persona pësuan mavijosje dhe ndrydhje gjatë evakuimit dhe u dërguan në spitalet lokale për ekzaminim.
Incidenti vjen më pak se dy muaj pasi një aeroplan i China Eastern Airlines me 132 persona u rrëzua në malet e Kinës jugore , duke vrarë të gjithë në bord.
Nuk është ende e qartë saktësisht se çfarë e shkaktoi mosfunksionimin dhe zjarrin pasues në Aeroportin Ndërkombëtar Chongqing Jiangbei.