Lajme nga Bota

BE dhe SHBA kërkojnë lirimin e Alexei Navalny

BE dhe SHBA kërkojnë lirimin e Alexei Navalny

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende anëtare të Bashkimit Europian kanë kërkuar nga Rusia lirimin e liderit opozitar Alexei Navalny.

Figura më e shquar e opozitës ruse është arrestuar dhe ndaluar për 30 ditë, pas kthimit nga Gjermania për në Moskë për herë të parë që kur u helmua vitin e kaluar. 44 vjeçari e ka cilësuar vendimin e gjykatës një tallje dhe u ka kërkuar qytetarëve të protestojnë në rrugë.

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo tha se autoritetet ruse po përpiqeshin të heshtnin zërat kritikë. Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Navalny-t. Edhe këshilltari i ardhshëm për sigurinë i presidentit të zgjedhur amerikan Joe Biden, Jake Sullivan reagoi me të njëjtat tone, duke e cilësuar arrestimin e tij si dhunim të të drejtave të njeriut.

Reagime të menjëhershme pati nga Franca, Italia, Gjermani dhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, që kërkuan po ashtu lirimin e 44-vjeçarit.

Po ashtu qeveria britanike u shpreh e shqetësuar për arrestimin e Navalny dhe shtoi se “në vend se të persekutojnë viktimën e këtij krimi të krimi, autoritetet ruse duhet të hetojnë sesi arma kimike e përdorur për helmimin e tij përfundoi në tokën ruse”.

Autoritetet ruse e akuzojnë atë për shkelje të kushteve të vendosura pas dënimit për mashtrim, një çështje të cilin Navalny e ka konsideruar gjithmonë të motivuar politikisht.

Artikulli i marrë nga BBC, përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tiranapost.al.