Lajme nga Bota

BE mund të mos porosisë më vaksina të AstraZeneca dhe Janssen

BE mund të mos porosisë më vaksina të AstraZeneca dhe

Bashkimi Europian nuk ka gjasa që të vazhdojë të blejë vaksinat e AstraZeneca apo Johnson & Johnson vitin e ardhshëm. Këtë ka deklaruar ministrja franceze Agnes Pannier-Runacher. Ajo nuk tha se BE ka marrë një vendim zyrtar, por theksoi se me shumë gjasë nuk do të porositen doza të tjera.

AstraZeneca është vaksina më e debatuar e momentit për shkak të dyshimeve se ka lidhje me rastet e mpiksjes së rrallë të gjakut tek personat që kanë bërë këtë vaksinë. Danimarka është shteti që një ditë më parë vendosi të ndalojë përfundimisht përdorimin e AstraZeneca. Por ndërkohë kancelarja gjermane Angela Merkel do të vaksinohet sot me këtë lloj vaksine, për të qetësuar opinionin publik gjerman.

Ministrja franceze tha:

"Ne nuk kemi filluar bisedime me Johnson & Johnson dhe me AstraZeneca për një kontratë të re, por kemi filluar bisedime me Pfizer / BioNTech dhe Moderna".

Shumica e vendeve kanë rinisur vaksinimet me AstraZeneca, por me kufizime për grupmoshat më të vjetra. Agjencia Evropiane e Barnave njoftoi javën e kaluar një lidhje të mundshme midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut, megjithatë shtoi se rreziku i vdekjes nga Covid-19 pa vaksinën është shumë më i madh.

*Tiranapost.al.