Lajme nga Bota

BE pranon parimisht certifikatën e vaksinimit për udhëtimet. A penalizohen vendet me pak vaksina?

BE pranon parimisht certifikatën e vaksinimit për udhëtimet. A

Krerët e BE-së kanë rënë parimisht dakord që të aplikohet certifikata e vaksinimit anti-Covid për udhëtimet, edhe pse ka rezerva lidhur me avantazhet që sjell. Propozimi që thuhet të ketë nisur nga vendet si Greqia dhe Spanja është ende në fazat e herdhme dhe nuk ka vendim final, por kjo mund të shkaktojë reagime dhe bllokime të qytetarëve nga vende ku mund të kërkohet një kohë më e gjatë për tu vaksinuar e për tu pajisur me certifikatë vaksine. Gjithashtu vaksina nuk është me detyrim dhe nuk dihet nëse vendet e BE-së do kërkojnë testin PCR në vend të certifikatës.

Deutsche Welle ka publikuar artikullin për takimin e liderëve të BE dhe tregon se gjatë muajve të ardhshëm mund të vendoset konkretisht nëse ky dokument do ta lehtësojë lëvizjen e lirë në kushtet e pandemisë.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen tha pas samitit se për shkak të mutacionit të virusit janë të nevojshme më shumë testime, edhe ndaj variantit të ri që me gjasë është edhe më ngjitës. Synimi i samitit ishte diskutimi për koordinimin e reagimit ndaj pandemisë, duke përfshirë rregullore më të ashpra udhëtimesh dhe shpërndarje masive të vaksinave.

Takimi i nivelit të lartë lidhej me "çështje shumë praktike”, si për shembull si mund të testohen mijëra udhëtarë dhe si të parandalohet transmetueshmëria e infeksionit nga një kufi në tjetrin.

Gjithsesi çështja e ndalimit të udhëtimeve, sikurse kishte propozuar Belgjika mbetet në dorë të vendeve, tha von der Leyen.

Megjithatë tërhiqet vëmendja që të shmangen udhëtimet jo domosdoshmërisht të nevojshme. Krerët e vendeve anëtare të BE-së ishte dakord, që tregu i brendshëm si qarkullimi i mallrave të mbahet sa më mirë të jetë e mundur në funksionim.

Lidhur me furnizimin me vaksina von der Leyen u shpreh optimiste, që BE-ja do të sigurojë mjaftueshëm vaksina për popullsinë e BE-së. Eshtë në interesin e vet BE-së që vaksina sa më shpejt të jetë e mundur të ndahet edhe me rajonet e tjera të botës, u shpreh ajo.

*Referuar DW/ Tiranapost.al.