Lajme nga Bota

BE premton të mbështesë ushtrinë e Ukrainës në rast përplasjeje me Rusinë

BE premton të mbështesë ushtrinë e Ukrainës në

Bashkimi Europian i ka premtuar “mbështetje të palëkundur” qeverisë së Ukrainës në një kohë tensionimi ushtarak mes Kievit dhe Moskës, që vjen si pasojë e rritjes së aktivitetit ushtarak në kufi me Rusinë.

Sipas mediave ndërkombëtare, qeveritë europiane kanë siguruar informacione se me mijëra trupa rusë po stërviten në rajonin e Krimesë e cila u aneksua nga Rusia në vitin 2014. Dyshohet se këto forca po bëhen gati të mbështesin ushtarakisht rebelët rusë kundër Kievit në rajonin e Donbasit, që prej disa vitesh ka shpallur në mënyrë të njëanshme shkëputjen nga Ukraina.

Në përgjigje të kësaj situate, shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell pas një telefonate me ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba është shprehur se “pas pamjeve shqetësuese nga aktivitetet ushtarake në lindje të Ukrainës, ne i ofrojmë Kievit mbështetje të palëkundur për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”.

Nga ana e saj, qeveria ruse ka mohuar planifikimin e një sulmi ushtarak kundër Ukrainës, por ka pranuar se ka pasur stërvitje ushtarake, të cilat i ka konsideruar “rutinë”.

Kujtojmë se që pas protestave kundër presidentit filo-rus që filluan në vitin 2013, disa rajone të Ukrainës me mbështetje ushtarake dhe financiare nga Moska shpallën autonominë dhe larguan autoritetet ukrainase nga zonat e tyre të kontrollit, çka e bën Ukrainën shtetin e vetëm europian që ka një luftë aktive brenda territorit të saj në vitin 2021.

Tiranapost.al