Lajme nga Bota

Belgjika me orë policore edhe pas 1 dhjetorit: Nuk ka Fishekzjarre për Vitin e Ri

Belgjika me orë policore edhe pas 1 dhjetorit: Nuk ka Fishekzjarre për

Belgjika do të lejojë që dyqanet të rihapen nga data 1 dhjetor. Kryeministri Alexander De Croo tha se megjithatë gjysmë-bllokimi i vendit do të qëndrojë në fuqi në përpjekje për të ulur nivelin e infeksionit nga koronavirusi.

Në konferencë për shtyp ai tha:

'Situata në vendin tonë po përmirësohet ... por është e rëndësishme të mbahen nën kontroll gjërat. Duhet të dini se festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri do të jenë ndryshe këtë vit'.

Deri më tani në Belgjikë, janë lejuar hapur vetëm dyqanet me mallra pakicë, thelbësore, si ushqimoret. Vendi konsiderohet si një nga më të goditurit nga vala e dytë e pandemisë në Kontinentin Europian.

Sipas masave; Lokalet, restorantet do të mbahen mbyllur, qytetarët do vijnë të punojnë nga shtëpia nëse munden, kontaktet sociale mbeten të kufizuara, shtetrrethimi nga mesnata deri në orën 5 të mëngjesit do mbetet gjithashtu në fuqi.

Kryeministri tha se këtë vit festat do të festohen vetëm me familjet: Do të jenë më intime.

Gjithashtu ai njoftoi se nuk do të ketë fishekzjarre për Vitin e Ri: Nuk mund të shkatërrojmë për katër ditë atë që kemi arritur në katër javë. Lidhur me lehtësimin e masave, ai tha se do të shikohet situata dhe do merret një vendim për janarin.

Belgjika ka regjistruar gati 570,000 infeksione që nga fillimi i pandemisë, por kohët e fundit duket se po e merr situatën nën kontroll.

Një mesatare prej 2,765 rastesh ditore me koronavirs janë regjistruar javën e kaluar, vetëm një e pesta e numrit muajin e kaluar. Ekspertët shpresojnë që rastet të ulen në rreth 500 në ditë deri në fund të vitit. Numri i të shtruarve në spital është përgjysmuar në dy javët e fundit dhe aktualisht janë 4,395 nga 7,500 në fillim të muajit.

Numri i pacientëve me koronavirus në kujdesin intensiv qëndron në 1,034, nga një kulm prej gati 1,500 në 9 nëntor. Më shumë se 16,300 njerëz kanë vdekur nga virusi në Belgjikë që nga fillimi i pandemisë, përfshirë 142 në një ditë të vetme të regjistruar të enjten e kaluar.

*Artikulli nga Medicalpress, përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tiranapost.al