Lajme nga Bota

Biden: Rritja e rasteve me linë e majmunit është shqetësuese

Biden: Rritja e rasteve me linë e majmunit është shqetësuese

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se duhet të shqetësohemi për shpërthimin global të lisë së majmunëve.

“Jemi duke punuar shumë për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë”, u ka thënë Biden gazetarëve më 22 maj, teksa është nisur nga Koreja Jugore për në Japoni.

Komentet e Biden kanë ardhur teksa virusi vazhdon të përhapet dhe Izraeli e Greqia janë dy shtete që kanë raportuar rastet e para.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka identifikuar rreth 80 raste me linë e majmunëve në gjithë botën, si dhe rreth 50 raste të dyshimta.

Kjo sëmundje infektuese është raportuar më herët vetëm në mesin e njerëzve me lidhje në Afrikën Qendrore dhe atë Perëndimore.

Mirëpo në javët e fundit ka pasur raportime për raste të tilla në Britani, Spanjë, Portugali, Itali, Shtetet e Bashkuara, Suedi, Kanada, Australi dhe vende tjera.
Virusi është identifikuar fillimisht te kafshët e egra dhe përcillet me gunga në trup, ethe dhe temperaturë.

Shkalla e vdekshmërisë nga kjo sëmundje është nga 1 deri në 10 për qind, dhe shumica e vdekjeve raportohen te pacientët e rinj.

Aktualisht nuk ka trajtim për linë e majmunëve, mirëpo vaksinat kundër llojeve tjera të lisë besohet se ofrojnë mbrojtje nga ky virus.