Lajme nga Bota

Britania akuzon Rusinë dhe Kinën për përdorimin e sulmeve kibernetike me qëllim mbjelljen e kaosit në perëndim

Britania akuzon Rusinë dhe Kinën për përdorimin e sulmeve

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab është shprehur se Pekinia dhe Moska po tentojnë të “sabotojnë, vjedhin dhe të shkatërrojnë” perëndimin dhe qytetarët e tyre duke përdorur sulmet kibernetike.

Në një fjalim të dhënë për konferencën e përvitshme “Cyber UK”, Raab ka akuzuar regjimet autokratike të Kinës, Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut se tentojnë të nënvlerësojnë nga jashtë lirinë dhe shtetin e së drejtës në vendet perëndimore.

“Ne tregojmë respekt për ligjin ndërkombëtar. Dhe përdorim kapacitet tona për të mbrojtur qytetarët, për të ruajtur bashkëpunimin ndërkombëtar si një forcë e mirë për botën, ndërkohë që rivalët tanë përdorin avancimet teknologjike për të vjedhur, për të sabotuar dhe për të mbjellë kaos në sistemin ndërkombëtar”- ka thënë mes të tjerash Raab përgjatë konferencës të zhvilluar në Londër.

Veçanërisht i ashpër në tonet e tij, Raab ka qenë përkundrejt Kinës, të cilën e ka akuzuar se drejton vetë hakerët e saj që kërcënojnë stabilitetin e perëndimit.

Ai paralajmërpoi Pekinin duke thënë: “mos mendojnë se thjesht me një lëvizje të duarve dhe me një deklaratë të thjeshtë se sulmet nuk kanë lidhje me ta mund t’ia hedhin. Edhe në rast se ata që kryejnë sulme kibernetike nuk kanë lidhje direkt me qeverinë, është përgjegjësia e tyre të gjurmonë dhe dënojnë këto banda dhe këta individë dhe jo t’i mbrojnë ata”.

Sipas kryediplomatit britanik të paktën 3000 organizata të vendit të tij janë prekur nga sulmet kibernetike të orkestruara nga shtete autoritariane dhe lajmëroi se administrata Johnson ka alokuar 22 milion paund për të ndihmuar shtetet në zhvillim në Afrikë dhe në rajonin Indo-Pacifik që të rrisin kapacitetet e mbrojtjes kibernetike dhe të zhvillohen më tepër urat e bashkëpunimit mes perëndimit dhe këtij rajoni.

Tiranapost.al