Lajme nga Bota

Britania shpall gjendjen e jashtëzakonshme prej të nxehtit dhe kjo foto e justifikon

Britania shpall gjendjen e jashtëzakonshme prej të nxehtit dhe kjo

Kjo është fotoja e një roje përpara Pallatit Mbretëror, i djersitur nga temperaturat rekord në Britani. Një polic po kujdeset për të, duke i dhënë ujë, pasi dihet që gjatë kohës së shërbimit rojet nuk mund të lëvizin.

Temperaturat në Britaninë e Madhe kanë arritur në 40 gradë celcius dhe një vend i ftohtë si Anglia nuk është mësuar t`i përballojë temperaturat kaq të larta. Ndaj qeveria ka shpallur emergjencë kombëtare. E marta do të jetë edhe dita më e nxehtë e javës.

Në të gjithë vendin, shkollat, objektet sportive dhe kampet verore u mbyllën. Kompanitë e trenave anuluan shërbimet dhe autoritetet shëndetësore u përgatitën për një rritje të telefonatave dhe urgjencave. Udhëtimi më makinë sugjerohet të shmanget pasi gomat mund të plasin nga tejnxehja.

Një sindikatë britanike e punëtorëve, “GMB”, ka bërë thirrje që të miratohet një ligj nën emrin “shumë nxehtë për të punuar”. Kodi i punës në Britaninë e Madhe parashikon rregulla kur temperaturat ulen shumë, por për temperatura të larta nuk ka asnjë ligj.

As në rregullat e përbashkëta të BE-së nuk ka një ligj të tillë. Zakonisht sugjerohet që në ditë të nxehta t`u sigurohet punonjësve ujë mjaftueshëm. Dhe në temperaturat e ulëta të ruhet një temperaturë e përshtatshme për punonjësit.

Situata me vapën përvëluese nuk ka prekur vetëm Anglinë. Franca gjithashtu po përballet me ditë të vështira, thatësirë dhe zjarre.

Francë

Disa qytete në Francë shënuan temperatura rekord dje. Zyra kombëtare meteorologjike në Francë bëri të ditur se termometri shënoi 39.3 gradë Celsius në qytetin e Brestit.

Kushtet e thatësirës dhe i nxehti ekstrem që nga fillimi i verës kanë lënë pjesë të mëdha të Francës në mungesë të ujit, duke shkaktuar probleme për fermerët dhe duke shkaktuar zjarre në pyje.

Itali

Italia po përballet gjithashtu me të nxehtin afrikan. Termometri në Romë shënon 40 gradë celcius. Lumi Po ka qenë një nga zonat më të prekura nga thatësira në Itali këtë vit. Mungesa e shiut ka bërë që nivelet e ujit në lumin Po të ulen nën mesatare.

Gjermani

Edhe Gjermania po përgatitet për valën e të nxehtit. Aktualisht termometri shënon 27 gradë. Autoritetet kanë bërë me dije se e marta do të jetë dita kur i nxehti arrin kulmin dhe i kanë bërë thirrje të moshuarve të qëndrojnë në shtëpi.

Shqipëri

Në Shqipëri Shërbimi Meteorologjik Ushtarak ka paralajmëruar se e premtja do të sjellë temperaturat maksimale.

Spanjë

Spanja raporton 510 vdekje si pasojë e temperaturave të larta me të cilat po përballet prej një jave.