Lajme nga Bota

Brukseli refuzon thirrjen e Britanisë për rinegocimin e marrëveshjes së BREXIT

Brukseli refuzon thirrjen e Britanisë për rinegocimin e

Komisioni Europian ka refuzuar zyrtarisht ditën e sotme ftesën e Mbretërisë së Bashkuar për të rinegociuar marrëveshjen e “divorcit” të BREXIT, përsa i përket protokollit për Irlandën e Veriut që ka të bëjë me rregullat tregtare për këtë copëz toke që i përket Londrës, por ndodhet në ishullin e Irlandës.

Çështja është e komplikuar, sepse për të ruajtur paqen në këtë rajon ku historikisht ka pasur përplasje etnike është e domosdoshme që të mos ketë kufi tokësor mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Nga ana tjetër, BE e ka të pamundur të pranojë që produkte që nuk përmbushin rregulloret e saj të mund të hyjnë nga ky rajon në Irlandë dhe për pasojë në BE dhe kërkon që Britania të vendosë kufi të brendshëm detar mes ishullit britanik dhe Irlandës së Veriut. Ky skenar nuk pranohet nga Londra e cila e sheh këtë si hapin e parë drejtë pavarësisë së Belfastit dhe bashkimit me pjesën tjetër të ishullit irlandez.

Mëngjesin e sotëm, ministri britanik për BREXIT David Frost ka bërë thirrje për vendosjen e një “balance të re” dhe kërcënoi Brukselin me veprime unilaterale në rast se nuk pranon një negociatë të re.

E menjëhershme ka qenë përgjigja e zv.presidentit të Komisionit Europian Maros Sefcovic që ka thënë: “Ne e marrim parasysh deklaratën e bërë nga Lordi Frost ditën e sotme. Megjithatë ne nuk biem dakord për një rinegocim për Protokollin e Irlandës së Veriut. Kjo nuk do të thotë se nuk do të punojmë për gjetjen e zgjidhjeve kreative për të gjetur një kompromis, gjithmonë brenda kuadrit të Protokollit.”

Sefcovic ka shtuar se Frost dhe Johnson kanë rënë dakord për detajet e Protokollit kur u bë marrëveshja e përgjithshme për BREXIT dhe fakti që ata duan ta rishikojnë tregon mungesë serioziteti, duke ripërsëritur se pozicioni i BE-së nuk ndryshon.

Tiranapost.al