Lajme nga Bota

Covid do kthehet në ftohje të zakonshme çdo sezon? Çfarë parashikojnë ekspertët dhe sa kohë duhet për ta arritur

Covid do kthehet në ftohje të zakonshme çdo sezon?

Një studim i fundit për koronavirusin ka zbuluar se virusi që shkakton Covid-19 mund të kthehet përfundimisht në një ftohje të zakonshme, duke u rishfaqur sezonalisht çdo vit, krahasuar me patogjenët e tjerë në familjen e koronavirusëve. Studiuesit nga Universiteti Emory në Georgia dhe Universiteti Shtetëror i Penn theksojnë se koha kur mund të arrihet në këtë gjendje endemike, do të varet se sa shpejt po përhapet sëmundja dhe se sa shpejt kryhet procesi i vaksinimit në nivel global. Sipas ekspertëve, duhet që të vaksinohen sa më shpejt e sa më shumë njerëz që Covidi të mos jetë më një sëmundje e rëndë por një ftohje sezonale, me vetëm simptoma të lehta.

Sindroma e rëndë respiratore acute (SARS) dhe sindroma respiratore e Lindjes së Mesme (MERS) që u shfaqën kohët  e fundit kanë fatalitet dhe infeksion më të lartë, por ndajnë gjenetikë të ngjashme me koronavirusin që shkakton Covidin. Shkencëtarët ende po mësojnë se sa zgjasin antitrupat dhe qelizat e tjera imune kundër virusit, ndërsa sipas analizave të fundit është thënë se imuniteti që bllokon infeksionin zhduket shpejt, ndërsa imuniteti që zvogëlon shkallën e rëndë të sëmundjes është jetëgjatë.

Kjo do të thotë që një person mund të infektohet përsëri me koronavirus disa muaj pas infektimit, por hera e dytë, e tretë ose e katërt nuk do të ishte aq serioze, por e ngjashme me ftohjen e zakonshme.

Studiuesit thonë se sapo shumica e njerëzve të fitojnë mbrojtje kundër COVID-19, qoftë përmes infeksionit natyror ose vaksinimit, shumica e rasteve do të ndodhin "pothuajse tërësisht tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël", të cilët dihet se përjetojnë simptoma fare të lehta.

Ndërkohë ri-infeksionet në individë të moshuar, më të prekshëm mund të ndodhin ende gjatë "fazës endemike", por ato mund të mbrohen nga simptomat e rënda të COVID-19 për shkak të infeksioneve që përjetuan gjatë fëmijërisë, sipas modeleve të ekipit.

Studimet mbi viruset e zakonshme që shkaktojnë ftohjen tregojnë se këto sëmundje të hershme ndodhin kryesisht midis moshës 3 dhe 5 vjeç. Por pa shpërndarje të mëdha të vaksinave, mund të duhen shumë vite dhe vdekje para se koronavirusi të bëhet një sëmundje tjetër sezonale.

Vaksinat COVID-19 nuk janë gjithashtu 100% efektive në parandalimin e infeksionit, kështu që ka të ngjarë që të jetë më e mirë në parandalimin e sëmundjeve të rënda në planin afatgjatë. Zhvilluesit e vaksinave Moderna, deklaruan se imuniteti nga vaksina e tyre duhet të zgjasë të paktën një vit.

Doktor Marc Lipsitch, një epidemiolog në Harvard tregoi parashikimin e tij:

Mendoj se koronavirusi i ri do të kthehet në një ftohje sezonale, por nuk mund ta them më siguri pasi nuk është e garantuar. Edhe në rast se llojet e reja të koronavirusit rishfaqen gjatë fazës endemike, si ajo nga Britania e Madhe që tani po përhapet në SHBA, studiuesit thonë se imuniteti i fituar nga mutacionet e mëparshme është sidoqoftë mjaft i fortë për të parandaluar shkallën e rëndë të sëmundshmërisë. E njëjta vlen për ri-infeksionet me cilindo nga katër koronavirusët që shkaktojnë ftohjen e zakonshme, të cilat duket se rrisin imunitetin me çdo sëmundje.

*MiamiHerald/ Tiranapost.al.