Lajme nga Bota

Debati që u dëgjua përreth botës

Debati që u dëgjua përreth botës

Nga Walter Russell Meads/ Ndërsa debati presidencial i së enjtes jehoi nëpër politikën amerikane, vëmendja më e madhe u përqendrua në performancën e lëkundur të Presidentit Biden.

Por kjo histori e ka edhe një dimension tjetër. Debati e çoi politikën e jashtme në qendër të garës presidenciale edhe pse ngriti temperaturën e politikës botërore dhe rriti shanset për më shumë kriza ndërkombëtare me afrimin e zgjedhjeve në SHBA.

Debatet presidenciale amerikane zakonisht sillen rreth çështjeve të brendshme si politikat fiskale dhe luftërat kulturore, por shoku i javës së kaluar ishte një përjashtim. Donald Trump ka vendosur që politika e jashtme është një dobësi thelbësore e presidencës Biden dhe ai sulmoi pa pushim një temë, që beson se do të funksionojë për atë vetë

“Në gjithë botën, ne nuk respektohemi më si shtet. Ata nuk e respektojnë udhëheqjen tonë. Ata nuk respektojnë më Shtetet e Bashkuara”, tha Trump. Ai iu kthye kësaj ideje në mënyrë të përsëritur gjatë debatit. Ai tha se Vladimir Putin nuk do ta kishte pushtuar Ukrainën, “nëse do të kishim një president të vërtetë… një president që do respektohej nga Putini”.

Për ata që e kanë patur mendjen, kjo nuk duhet të jetë befasi. Trump e ka theksuar këtë ide gjatë gjithë fushatës. Më 18 qershor ai tha në një tubim në Racine, Uiskonsin se “Joe Biden po poshtëron vendin tonë në skenën botërore. . . Unë do të parandaloj një gjë të quajtur Lufta e Tretë Botërore.” Turma filloi të brohoriste dhe ai vazhdoi: “Jemi më afër se sa mendoni. Dobësia e Bidenit na ka vënë në rrezik të madh.”

Tubimet e Trumpit kanë shërbyer prej kohësh si fokus grupe. Ish-presidenti hedh ide dhe koncepte; kur audienca e tij përgjigjet me entuziazëm, ai e thotë më me forcë. Ideja se Lufta e Tretë Botërore po afron dhe vetëm udhëheqja e re mund ta parandalojë atë, jehon tek mbështetësit e tij. Në një tubim të 22 qershorit në Filadelfia ai tha se me Biden-in president, “bota është në flakë. Kufiri ynë është shkelur. . . . Evropa është në kaos. Lindja e Mesme po shpërthen. Irani ka marrë krahë. Kina po marshon. Dhe ky president i tmerrshëm po na tërheq zvarrë drejt Luftës së Tretë Botërore.”

Performanca e Biden-it në debat tronditi gjithashtu sistemin ndërkombëtar. Politico citoi tekstin e një diplomati evropian: “Ndërkombëtarisht kjo nuk është një pamje e mrekullueshme për Amerikën”. Për liderët evropianë, të cilët pothuajse të gjithë preferojnë Biden-in në vend të sfidantit të tij, shfaqja e Biden-it konfirmoi frikën ekzistuese. Bazuar në performancën e presidentit të SHBA në takimet me liderët evropianë dhe botërorë, dyshimet rreth aftësisë së tij për të fituar rizgjedhjen ose për të kryer detyrat ishin tashmë të përhapura. Në këtë pikë, pothuajse i gjithë kontinenti është duke u përgatitur për atë që liderët evropianë besojnë se është një kthim pothuajse i pashmangshëm i Trump-it në Shtëpinë e Bardhë.

Dobësia politike dhe personale e presidentit Biden vjen në mes të një krize lidershipi në Evropë. Presidenti francez Emmanuel Macron është duke lëpirë plagët, pas një disfate therëse në raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare. Kancelari gjerman Olaf Scholz kryeson një koalicion të dobët, të ndarë dhe jopopullor. Hungaria e Viktor Orbanit, simpatizante e Putinit sapo ka marrë presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian. Konservatorët e Rishi Sunakut duken në prag të një disfate dërrmuese në zgjedhjet e së enjtes.

Kontrasti me një Rusi të ringjallur, ku Vladimir Putin duket se ka stabilizuar pozicionin e tij të brendshëm politik, ndërsa forcon marrëdhëniet me mbështetësit si Irani, Kina dhe Koreja e Veriut, është shqetësues.

Ndërkohë që aleatët politikë dhe ndihmësit e presidentit luftuan jo pak për të shuar stuhinë e brendshme të ndezur nga debati, strategët e politikës së jashtme të ekipit Biden përballen me një detyrë edhe më komplekse. Shfaqja e dobët në debat minon besimin si në qëndrueshmërinë e administratës Biden ashtu edhe në kompetencën e udhëheqjes së saj. A mund t’i besojnë Izraeli ose Hamasi angazhimet e marra nga kjo administratë, kur duket se Donald Trump do të kthehet në pushtet janarin e ardhshëm? A do të shohë Kina mundësi ndërsa një administratë e dobësuar amerikane, nën një udhëheqës të moshuar lufton për jetën e vet politike?

Në skenarin më të keq, perceptimi i dobësisë presidenciale do t’i shtynte liderët e huaj të sfidonin fuqinë e SHBA-së, në një kohë të dobësisë së dukshme amerikane. Putini zgjodhi të sulmonte Gjeorgjinë në vitin 2008, ndërkohë që një administratë jopopullore e Bushit po merrej me krizën financiare. Në vitin 2024, Putin, Xi Jinping, Kim Jong Un ose Ayatollah Ali Khamenei mund të zgjedhin këtë moment të rrëmujës politike amerikane për të bërë një lëvizje dramatike. Dy ose më shumë prej tyre mund të koordinojnë veprimet, duke e ballafaquar një administratë të shpërqendruar dhe të dobësuar të Biden-it, me sfidën më të rrezikshme dhe komplekse ndërkombëtare që nga vitet 1940.

Teksa ekipi i Biden-it punon për ta mbajtur botën të qetë, mund të jetë i sigurt për një gjë. Çdo dështim i politikës së jashtme nga tani deri në nëntor do të bëhet tema kryesore e sulmeve pa ndalim të Trump-it, ndaj përshtatshmërisë së Presidentit Biden për atë detyrë. / The Wall Street Journal

*Ky artikull u publikua nga Bota.al dhe u ripostua nga Tiranapost.al