Lajme nga Bota

Dekreti i Biden/ SHBA vendos sanksione të reja kundër Kubës

Dekreti i Biden/ SHBA vendos sanksione të reja kundër Kubës

SHBA-të kanë vendosur ditën e sotme sanksione të reja, të cilat i mbivendosen embargos tregtare të imponuar nga Donald Trump kundër Kubës. Sanksionet e firmosura ditën e sotme nga Departamenti i Thesarit dhe presidenti Joe Biden vijnë në reagim të brutalitetit të Policisë në shtypjen e protestave anti-komuniste në vend.

Përgjatë momentit të firmosjes së dekretit për sanksione kundër regjimit në Havana, Biden ka premtuar “më shumë mbështetje për kubanezët që luftojnë për liri”.

“Do të kemi sanksione të reja, kjo gjë mund të shmanget vetëm me ndryshime drastike të pushtetit në Kubë, por kjo është diçka që nuk e pres. Shtetet e Bashkuara do të bëjnë më shumë për të mbrojtur popullin e Kubës”- ka thënë mes të tjerash Biden nga Shtëpia e Bardhë teksa firmoste sanksionet në prezencë të liderëve politikë të komunitetit amerikano-kubanez, pjesa më e madhe e të cilëve kanë emigruar në Amerikë për t’i shpëtuar regjimit komunist.

Sanksionet e reja targetojnë disa oficerë të lartë të policisë së Kubës dhe Ministrin e Brendshëm, të cilët kanë qenë njerëzit që orkestruan dhunën ndaj protestuesve paqësorë, pro-demokracisë në ishullin e Kubës.

Kujtojmë se një valë protestash ka përfshirë Kubën që prej muajit të kaluar, për shkak të krizës ekonomike më të madhe që vendi po përjeton që pas rënies së Bashkimit Sovjetik, teksa regjimi i Castro-s financohej në masë të madhe nga Moska. Mijëra njerëz kanë dalë në rrugë për të protestuar kushtet e jetesës, mungesën e mallrave bazikë në treg, mungesën e lirive civile dhe mënyrën sesi autoritetet menaxhuan pandeminë e COVID-19.

Nga ana e tij, presidenti i Kubës Miguel Diaz-Canel ka fajësuar SHBA-të për situatën në SHBA, veçanërisht embargon shumë-vjeçare që rëndon së tepërmi mbi ekonominë e vendit. Gjithashtu, ai është shprehur se shumë protestuar “janë manipuluar nga një fushatë e rrjeteve sociale e orkestruar nga SHBA-të.”

Sanksionet ndaj Kubës mbështeten në Kongresin amerikan nga dy partitë politike si Republikanët ashtu edhe Demokratët.

Tiranapost.al