Lajme nga Bota

Dekreti i ri i talebanëve/ Vajzat afgane nuk do të konsiderohen më si “prona” dhe s’do të martohen kundër dëshirës

Dekreti i ri i talebanëve/ Vajzat afgane nuk do të konsiderohen

Qeveria talebane e Afganistanit ka lëshuar ​​të premten një dekret për të drejtat e grave sipas të cilit gratë nuk duhet të konsiderohen "pronë" dhe nuk duhet të martohen kundër pëlqimit të tyre, por nuk përmendet askund mundësia e grave për t’u arsimuar apo për të marrë pjesë në aktivitete të tjera jashtë shtëpisë. Në këtë dekret thuhet gjithashtu që të vejat duhet të kenë pjesë në pronën e burrit të tyre të ndjerë.

"Gruaja nuk është pronë, por një qenie njerëzore fisnike dhe e lirë, askush nuk mund t'ia japë askujt në këmbim të paqes ... ose për t'i dhënë fund armiqësisë", thuhet në dekretin e talebanëve, të lëshuar nga zëdhënësi Zabihillah Muhajid.

Sipas dekretit gjykatat duhet të marrin parasysh këto rregulla kur marrin vendime të cilat duhen promovuar dhe nga ministritë e çështjeve fetare dhe informacionit.

Gjatë sundimit të mëparshëm nga viti 1996 deri në vitin 2001, talebanët i ndaluan vajzat të merrnin arsim, gratë të dilnin nga shtëpia pa një të afërm mashkull apo pa mbuluar fytyrën dhe kokën.

Por talibanët thonë se kanë ndryshuar dhe shkollat ​​e mesme për vajza në disa provinca janë lejuar të hapen. Gjithsesi shumë gra dhe avokatë të të drejtave të njeriut mbeten skeptikë.

Komuniteti ndërkombëtar, që ka ngrirë miliarda në fondet e bankës qendrore dhe shpenzimet për zhvillim, i ka bërë të drejtat e grave një element kyç të çdo angazhimi të ardhshëm me Afganistanin.

Tiranapost.al