Lajme nga Bota

Dita e fundit e zgjedhjeve për Parlamentin Europian, sot votojnë shumica e vendeve të BE

Dita e fundit e zgjedhjeve për Parlamentin Europian, sot votojnë

Rreth 360 milionë shtetas të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë të drejtë vote në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Zgjedhjet për anëtarët e Parlamentit Europian filluan në datën 6 qershor, ndërsa dita e sotme (9 qershor) është edhe dita e fundit, ku pritet që të votojnë shumica e vendeve të BE.

Holandezët votuan të enjten, më 6 qershor, kjo u pasua nga Irlanda më 7 qershor dhe më pas Letonia, Malta dhe Sllovakia më 8 qershor. Republika Çeke dhe Italia votuan për dy ditë: përkatësisht 7-8 dhe 8-9 qershor.

Mosha minimale e votimit ndryshon, por për shumicën e vendeve evropiane është 18 vjeç. Për herë të parë në Gjermani lejohen të votojnë edhe të miturit, pasi mosha e votimit të vendit për zgjedhjet evropiane është ulur nga 18 në 16 vjeç. Kjo ka rritur numrin e votuesve me të drejtë vote në Gjermani nga rreth 61.5 milionë në vitin 2019 në pak më pak se 65 milionë këtë vit.

Gjithsej janë rreth 720 anëtarë të Parlamentit Evropian (PE) do të zgjidhen mes mijëra kandidatëve.

Parlamenti Evropian është trupi i vetëm i Bashkimit Evropian që përfaqëson shtetasit e vendeve anëtare. Funksioni i tij primar përfshin negocimin e ligjeve të BE-së me anëtarë të qeverive, që përfaqësohen prej Këshillit Evropian. Parlamenti, po ashtu, miraton buxhetin e BE-së dhe voton për marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe për zgjerimin e bllokut evropian. Ky institucion ka përgjegjësi mbikëqyrëse, përfshirë fuqinë për të miratuar apo refuzuar emërimin e presidentit të Komisionit Evropian pozitë në të cilën është aktualisht Ursula von der Leyen e Gjermanisë dhe të komisionarëve.