Lajme nga Bota

Doktor Fauci përfshihet në debatin për deklaratën e Nicki Minaj se pas vaksinës kushëriri i saj u bë impotent

Doktor Fauci përfshihet në debatin për deklaratën e Nicki

Dr Anthony Fauci, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, ka hedhur poshtë deklaratën e bërë në Twitter dhe tashmë të bllokuar, nga reperja Nicki Minaj. Ajo thoshte se vaksina ndaj Covid-19 mund të shkaktojë probleme riprodhuese. Madje për këtë kishte shembullin e kushëririt të saj.

Minaj, e cila ka mbi 22 milionë ndjekës në Twitter, ndezi polemika të forta.

“Ata duan që të vaksinoheni për të qenë në Met Gala. Nëse vaksinohem nuk do ta bëj për Met Gala-në. Do ta bëj pasi të kem bërë kërkime të mjaftueshme. Në proces jam. Ndërkohë të dashurit e mi, qëndroni të sigurt. Vini maskën me 2 rripa nga koka tek fytyra”, shkruante Minaj që më pas tregonte historinë e kushëririt nga Trinidad që dyshohej se përjetoi impotencë pasi bëri vaksinën.

Në një intervistë për CNN të martën, Fauci u pyet nëse vaksina COVID mund të shkaktojë ndonjë problem në shëndetin riprodhues tek burrat ose gratë. Fauci u përgjigj:

"Përgjigja për këtë është një jo e fortë. Nuk ka prova që ndodh, as nuk ka ndonjë arsye teknike për ta imagjinuar. Ka shumë dezinformata, kryesisht në mediat sociale dhe mënyra e vetme që ne njohim për të kundërshtuar keqinformimin dhe dezinformimin është të sigurojmë informacion të saktë. Këto pretendime mund të jenë të pafajshme nga ana e saj. Nuk po e fajësoj për asgjë, por ajo duhet të mendojë dy herë para se të përhapë një informacion të pabazë".