Lajme nga Bota

Donald Trump shpall kandidaturën për president

Donald Trump shpall kandidaturën për president

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka shpallur për herë të tretë kandidaturën për president duke deklaruar: "Rikthimi i Amerikës fillon pikërisht tani".

Nga prona e tij në Florida, ai tha: "Ne duhet ta shpëtojmë vendin tonë".

Njoftimi i Trump vjen pasi disa kolegë republikanë e fajësojnë atë për performancën e dobët të partisë në zgjedhjet afatmesme të javës së kaluar.

Presidenti aktual Joe Biden, i cili mundi Trumpin dy vjet më parë, ka thënë se gjithashtu mund të kandidojë për rizgjedhje në vitin 2024.

"Ne jemi një komb në rënie. Për miliona amerikanë, dy vitet e fundit nën Joe Biden kanë qenë një kohë dhimbjeje, vështirësie, ankthi dhe dëshpërimi. Për ta bërë Amerikën sërish të madhe dhe të lavdishme, sonte po shpall kandidaturën time për president të Shteteve të Bashkuara”, tha Trump.

Trump ka dorëzuar gjithashtu dje dokumentet për shpalljen e kandidaturës në Komisionin Federal të Zgjedhjeve dhe ka krijuar një llogari për mbledhjen e fondeve për fushatë.

Ndërkohë, jashtë Mar-a-Lago, mbështetësit u mblodhën për të valëvitur flamujt.

Fjalimi i Trump zgjati për më shumë se një orë dhe preku shumë nga të njëjtat tema që ai ka përsëritur prej muajsh. Këto përfshinin sigurinë kufitare, pavarësinë energjetike dhe krimin, si dhe sulmet ndaj Biden në detyrë.

Bashkëshortja e tij, Melania Trump, iu bashkua në podium në fund të fjalimit. Por kishte më pak anëtarë të familjes të pranishëm se në disa nga ngjarjet e tij të kaluara dhe Ivanka Trump dhe Donald Jr nuk morën pjesë.