Dua t`ju prezantoj Polinën, vajzën e gruas së Lavrov. Jeton mes luksit në Londrën që ai shan
Maria Pevchikh ka postuar në Twitter-in e saj një investigim të kryer të shtator të 2021-shit. Maria ka punuar për 11 vite me kryeopozitarin rus Navalny, që tashmë ndodhet në burg. Në fokus të këtij investigimi është Sergey Lavrov, ose me saktë familja e tij. Me foto, dokumente, fakte, tregohet sesi vajza e gruas (joformale) të Lavrov ka përfituar nga paratë e njerkut të saj e sesi bën një jetë luksi në Londër, në një kohë që vetë Lavrov e sulmon Perëndimin.
Lexo investigimin e plotë dhe analizën e saj:
Dua që t`juj prezantoj me Polina Kovaleva-n. Polina është 26 vjeç. Ajo është një vajzë ruse, nga Londra. Ajo jeton në një apartament të madh në Kensington dhe i pëlqen të bëjë festa gjatë gjith kohës. Në Instagramin e saj duket sikur pushimet nuk mbarojnë kurrë. Mbase keni dëgjuar më parë për të, por ka një detaj të vogël…
Polina është thjeshtra (vajza e gruas) e Lavrov, ministrit të Jashtëm rus. Po e atij Lavrov. Një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Putin. Ai që flet në ajër e që tani është edhe një kriminel lufte.
Ndodh shpesh që shokët e Putinit të kenë dy familje në të njëjtën kohë. Vetë Putini, ndërkohë që ishte i martuar me Ludmila Putina-n, kishte një familje të dytë me ish-gjimnasten Alina Kabaeva. Ministri i Mbrojtjes, Shoigu kishte dy gra dhe fëmijë me të dyja gratë, në të njëjtën kohë. Lavrov nuk përbën përjashtim.
Lavrov ka gruan e tij nga martesa zyrtare, prej 50 vitesh. Ama askush nuk ka dëgjuar për të apo nuk i ka parë ata së bashku në publik prej shumë vitesh. Për dallim nga kjo zonjë, me Lavrov kudo është Svetlana Polyakova. Ajo është gruaja e tij e vërtetë. Ata janë bashkë që në fillim të viteve 2000.
Ndryshe nga bashkëshortja e tij me letra, pra ajo zyrtarja, Svetlana sa vjen dhe pasurohet. Ajo bleu një apartament në Moskë me vlerë 6-8 milionë dollarë. Kurse këto foto tregojnë koleksionin e saj të makinave. Jo keq për një zonjë të papunë.
Svetlana gjithashtu e shoqëron Lavrovin në çdo udhëtim zyrtar që bën jashtë vendit. Ndonjëherë ajo merr me vete edhe nënën e saj 78 vjeçe dhe mbesën. E gjithë familja e saj klasifikohet si ‘anëtarë të trupit diplomatik’. Madje Svetlana e ka përdorur avionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme më shumë se 60 herë.
Tani të kthehemi tek Polina. Ajo është vajza e Svetlanës nga martesa e saj e mëparshme. Ja dhe fotot që Polina ka bërë në shtëpinë e nënës së saj. Ja dhe vetë Lavrov ku është me të.
Nëna e Polinës dhe Lavrov janë bashkë prej rreth dy dekadash. Babai biologjik i Polinës nuk është i pasur. Ajo nuk ka as ndonjë burrë të pasur. Por në moshën 21-vjeçare, bleu këtë apartament në Londër, në Kensington High Street për 4.4 milionë paund.
Pagoi me para në dorë. As kredi, asgjë. 4.4 milionë paund. A mund ta shpjegojë dikush se si është e mundur kjo? Burimi i saj i vetëm i të ardhurave është nëna e saj e papunë, e cila ndodh të jetë gruaja joformale, e Lavrov. Ky është shembulli perfekt i pasurisë së pajustifikueshme. Kjo pronë mund të sekuestrohet që tani.
Lavrov akuzoi Britaninë e Madhe për përdorimin e armëve kimike dy herë. Herën e parë pretendoi se Britania e Madhe organizoi helmimin në Salisbury. Dhe së fundmi ai më akuzoi mua publikisht për helmimin e shefit tim, Navalny me Novichok (agjentët helmues) me kërkesë të shërbimeve sekrete të Mbretërisë së Bashkuar, për të cilën ai pretendon se unë punoj.
Lavrov ka mbajtur fjalime të shumta për botën e keqe anglo-saksone dhe vendet e tmerrshme liberale perëndimore që duan të shkatërrojnë Rusinë dhe Ukrainën. Po tani lind pyetja: Pse thjeshtra e tij jeton në qendër të Londrës? Pse jo në Krime apo Donbass?
Polina dhe nëna e saj duhet të sanksionohen. Polina duhet të bëjë gati valixhet e saj Louis Vuitton, t'i thotë lamtumirë jetës së saj britanike. Duhet të largohet nga Mbretëria e Bashkuar. Nëse ajo nuk është në gjendje të shpjegojë se nga i ka marrë 4.4 milionë paund, prona e saj duhet të sekuestrohet sipas procedurës së Urdhrit të Pasurisë së Pajustifikueshme.
Kjo është lista e anëtarëve të familjes Lavrov të cilët nuk duhet të lejohen më kurrë të shkelin në tokën e Mbretërisë së Bashkuar:
Polina Kovaleva 04.06.1995
Svetlana Polyakova 28.11.1970
Tamara Polyakova 01.05.1948
Valeria Polyakova 09.08.2003
Sergej Lavrov 21.03.1950