Lajme nga Bota

Emergjencë nga Covid në Japoni: Shkencëtarët flasin për valën e re nga një variant i ri virusi

Emergjencë nga Covid në Japoni: Shkencëtarët flasin për

Rajoni perëndimor i Japonisë, Osaka ka anuluar aktivitetet Olimpike të planifikuara në të gijthë zonën, për shkak të përhapjes së infeksionit nga Covid në nivel rekord. Ndërsa qeveria ka shpallur situatën e emergjencës mjekësore në gjithë rajonin.

Autoritetet shëndetësore dhe shkencëtarët japonezë shprehin shqetësimin se një variant i ri i virusit po shkakton valën e katërt të infeksioneve, ndërkohë që na ndajnë 107 ditë para fillimit të Lojërave Olimpike të Tokios, ndërsa procesi i vaksinimit është ende në fazat e hershme.

Guvernatori i Osakës, Hirofumi Yoshimura njoftoi se aktivitetet do të anuloheshin, duke shtuar se sistemi mjekësor është përballur me një shtim të jashtëzakonshëm të të shtruarve në spital. Shkencëtarët thonë se varianti i ri virusit është më infektiv dhe po prek edhe të rinjtë.

"Është pothuajse e sigurt që ky lloj mutacioni i virusit është shumë ngjitës, me një shpejtësi të lartë transmetimi. Unë do të doja t'u kërkoja të gjithë banorëve të prefekturës Osaka të përmbahen nga dalja e panevojshme. Sistemi mjekësor është në një situatë shumë të vështirë."

Sot u raportuan 878 infeksione të reja. Ndërsa rastet e rënda kanë mbushur rreth 70% të shtretërve spitalorë në rajon. Osaka dhe prefekturat fqinje të Hyogo dhe Miyagi filluan nga e hëna me një muaj masash të reja bllokimi, për të frenuar përhapjen e infeksionit, ku lokalet detyrohen të mbyllen më herët dhe lëvizja nga rajoni në rajon lejohet vetë për raste emergjence.

Edhe në kryeqytetin Japonez, Tokio infeksionet janë në trend rritës me 555 të infektuar të rinj të raportuar sot.

Guvernatori i Tokios, Yuriko Koike tha se po sheh situatën nëse do ishte e nevojshme të shpallej gjendja e emergjencës. Japonia ka vaksinuar deri më tani më pak se 1 % të popullsisë.

*Tiranapost.al.