‘Enigma’, zbulohet diamanti i veçantë 555,55 karat

Shtëpia e ankandeve Sotheby's Dubai ka zbuluar një diamant të veçantë.
“Enigma” quhet diamanti i zi 555,55 karatësh që besohet se ka ardhur nga hapësira. Guri i rrallë u tregua të hënën para gazetarëve si pjesë e një turneu në Dubai dhe Los Angeles përpara se të dilte në ankand në shkurt në Londër.
Sotheby's pret që diamanti të shitet për të paktën 5 milionë paund britanik (6.8 milionë dollarë). Shtëpia e ankandeve planifikon të pranojë edhe kriptomonedha si mënyrë pagese.
Sophie Stevens, një specialiste bizhuterish në Sotheby's Dubai, tha për Associated Press se numri pesë ka një rëndësi të veçantë për diamantin, i cili gjithashtu ka 55 aspekte.
“Forma e diamantit bazohet në simbolin e palmës së Lindjes së Mesme të Khamsa-s, që përfaqëson forcën dhe mbrojtjen”, tha ajo. Khamsa në arabisht do të thotë pesë.
“Diamantet e karbonados besohet se janë me origjinë jashtëtokësore, krijuar nga meteoritët që përplasen me Tokën duke formuar avull kimik ose vërtetë janë pjesë e vetë meteorëve,” tha ajo.
Diamantet e zeza, të njohur edhe si karbonado, janë shumë të rrallë dhe gjenden në formën e tyre të natyrshme vetëm në Brazil dhe Afrikën Qendrore. Teoria e origjinës kozmike bazohet në izotopet e tyre të karbonit dhe përmbajtjen e lartë të hidrogjenit.