Lajme nga Bota

Erdogan kundër Eurovizionit: Po kërcënon familjen

Erdogan kundër Eurovizionit: Po kërcënon familjen

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka sulmuar Festivalin Europian të Këngës, duke e akuzuar se inkurajon “neutralizimin e gjinive” dhe kërcënon familjen tradicionale.

Në një fjalim para kabinetit qeveritar, ai i përshkroi pjesëmarrësit në Eurovizion si “Kali i Trojës së korruptimit shoqëror”, dhe tha se qeveria e tij kishte të drejtë që e mban Turqinë jashtë këtij festivali, prej vitit 2012.

Komentet e Erdogan duket se i referohen fituesit të këtij viti, zviceranit Nemo, i cili në këngën e tij rrëfente udhëtimin drejt përqafimit të identitetit të tij pa gjini. 24-vjeçari u bë i pari këngëtar jobinar që fiton kompeticionin.

“Në këto shfaqje është bërë e pamundur të takosh njerëz normal”, tha Erdogan. “E kuptojmë më mirë tani që kemi marrë vendimin e duhur për të mbajtur Turqinë jashtë këtij kompeticioni të turpshëm prej 12 vitesh”.