Lajme nga Bota

Çfarë është Guillain-Barre, sindroma që kanë përjetuar disa pacientë nga vaksina Johnson & Johnson

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) pritet të shpallë një paralajmërim të ri lidhur me vaksinën Johnson & Johnson, pasi ka dyshimet se mund të ketë lidhje me një sëmundje të rrallë autoimune, ndonëse pritet të theksojë se përfitimet tejkalojnë rreziqet. 

Çfarë është Guillain-Barre, sindroma që kanë

Washington Post ka publikuar artikullin ku tregon për katër raste të vaksinuarish me këtë vaksinë që thuhet t’u ketë shkaktuar sindromën Guillain-Barre, një çrregullim i rrallë në të cilin sistemi imunitar sulmon sistemin nervor periferik, duke paralizuar përkohësisht pjesë të ndryshme të trupit.

Ndërkaq CDC amerikane thotë se ka marrë rreth 100 raporte për sindromën, pasi pacientët kanë bërë vaksinën anti-Covid, Johnson & Johnson me një dozë. Shumica e rasteve kanë ndodhur rreth dy javë pas vaksinimit dhe tek burra të moshës 50 vjeç e lart, dhe kjo sindromë nuk është raportuar me vaksinat Pfizer-BioNTech dhe as Moderna.

Me vetëm 100 raste të raportuara nga 12.8 milion doza të administruara, kjo do të thotë se Guillain-Barre mund të ndodhë në vetëm 0.000781 % të rasteve.

Paralajmërimi që pritet të zyrtarizohet nga FDA është një tjetër pengesë për vaksinën e J&J, e cila duket se po përballet me pauza të prodhimit dhe doza që kanë kaluar afatet e përdorimit dhe si pasojë do të hidhen.

Guillain-Barre-shpesh shkaktohet nga një sëmundje virale ose bakteriale dhe sjell dobësi si dhe ndjesi shpimi gjilpërash në gjymtyrë. Ndërsa kushtet e pacientëve përkeqësohen, kjo mund të çojë në paralizimin e pjesëve të trupit ose në disa raste të të gjithë trupit. Sindroma Guillain Barré është e rrallë, dhe prek rreth një në 100,000 persona në vit. Më pak se 20,000 raste diagnostikohen në vit, sipas Institutit Kombëtar të Çrregullimeve Neurologjike dhe Stroke në Britani.

Pas simptomave të para të Guillain-Barré, shenjat e të sëmurëve zakonisht përkeqësohen për rreth dy javë para se të kërkojnë trajtim spitalor për rreth katër javë. Shumica e të prekurve shërohen, por rreth 5 % vuajnë pasojën e dobësimit ose përsëritje të paralizës.

Sipas The Post, zyrtarët e FDA pritet të theksojnë se megjithatë qëllimi i J&J është i sigurt dhe përfitimet e vaksinimit tejkalojnë rreziqet: 'Është një sinjal i vërtetë, por një ngjarje e rrallë,' ka thënë një prej ekspertëve nga FDA paraprakisht.

Ndërsa zyrtarë nga kompania J&J kanë thënë se kanë qenë në bisedime me FDA për raste të rralla të Guillain-Barré pas vaksinës me një dozë.

Në Shqipëri, vaksinat anti-Covid që kanë mbërritur janë: Sinovax, Sputnik V, Pfizer dhe AstraZeneca.

*Artikulli i përkthyer dhe i përshtatur në shqip nga Tiranapost.al.