Lajme nga Bota

Çfarë thotë OBSH për virusin tek ushqimet pas rastit me pulat e Brazilit

Çfarë thotë OBSH për virusin tek ushqimet pas rastit me

Pas lajmit të djeshëm nga Kina se janë gjetur gjurmë të virusit tek krahët e pulës të importuara nga Brazili, OBSH thotë se deri më tani nuk janë gjetur gjurmë të virusit në ushqime apo në paketime, aq sa për të infektuar.

Mike Ryan nga Programi për Emergjencat në OBSH thotë se njerëzit nuk duhet të shqetësohen për këtë: Njerëzit nuk duhet të frikësohen nga ushqimi, paketimi apo dërgesat me porosi. Nuk ka të dhëna se ushqimi apo zinxhiri ushqimor është pjesë e përhapjes së virusit. Njerëzit duhet të jenë të sigurt.

Megjithatë, më parë është thënë se virusi mund të mbijetojë me ditë në sipërfaqe të tilla, si në kartonët apo qeset ku paketohen ushqimet. Megjithatë OBSH thekson se pavarësisht kësaj, nuk ka raste infektimi përmes kontaktit me këto materiale dhe nga ushqimi. Për siguri bën thirrjen e larjes së shpeshtë të duarve.

Eksperti Ryan lidhur me situatën aktuale të virusit thotë se bota mund të jetë ende në fillim të ‘stuhisë’ pasi vetëm një përqindje e vogël e popullsive janë ekspozuar nga virusi.

Vaksinë të sigurt deri më tani nuk ka, edhe pse Rusia pretendon se e ka dhe se shumë shpejt do të fillojë përdorimi në masë të gjerë, fillimisht do injektohet tek mjekët dhe nga janari 2021 do u bëhet edhe qytetarëve.

Mbrojtja e vetme për momentin siç thonë ekspertët janë: Maska, distancimi dhe higjiena.