Finlandezët janë qytetarët më të kënaqur në BE

Finlanda mban vendin e parë të kënaqësisë në Bashkimin Evropian, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.
Vlerësimi mesatar i kënaqësisë nga jeta në BE në vitin 2023 ishte 7.3 në një shkallë nga 0 në 10. Kënaqësia me jetën mund të ndikohet nga shumë faktorë, si mosha, niveli i arsimimit, familja dhe gjendja financiare. Shifrat e Eurostat-it shikojnë faktorë të tillë si kushtet për jetesën, koha e lirë, ndërveprimet sociale, siguria ekonomike dhe fizike, qeverisja dhe të drejtat themelore, mjedisi natyror dhe përvoja e përgjithshme e jetës.
Ndërsa vlerësimi ishte më i lartë në Finlandë (7.8), Belgjika, Austria, Rumania dhe Sllovenia dolën secila me 7.7. Njerëzit më pak të lumtur në Bashkimin Evropian ishin në Bullgari (5.9), Letoni dhe Greqi (të dyja me 6.9).