Lajme nga Bota

Franca do dalë nga izolimi: Tre datat e rëndësishme kur do hiqen kufizimet

Franca do dalë nga izolimi: Tre datat e rëndësishme kur do hiqen

Franca do të fillojë heqjen e kufizimeve të ‘lockdown’-it javët e ardhshme, me një proces që do të kryhet në tri faza, në mënyrë që të shmanget një përhapje e re e pandemisë. Vendimi i qeverisë është marrë këtë të diel, raporton ‘Reuters’.

Të martën, Presidenti Emmanuel Macron do mbajë një fjalim rreth situatës së virusit dhe mund të njoftojë një lehtësim të pjesshëm të kufizimeve të cilat hynë në fuqi që prej 30 tetori.

“Emmanuel Macron do të japë perspektivat e qeverisë gjatë disa javëve, veçanërisht mbi mënyrën se si do të zbatojmë strategjinë tonë. Ajo që është si qëllim është përshtatja e rregullave të bllokimit, ndërsa situata shëndetësore përmirësohet dhe shmanget një shpërthim i ri e epidemisë. Do të ketë tre hapa për të lehtësuar gjendjen në funksion të gjendjes shëndetësore dhe rreziqeve të lidhura me disa biznese: hapi i parë rreth 1 dhjetorit, pastaj para festave të fundvitit dhe më pas nga janari 2021”, tha zëdhënësi i qeverisë Gabriel Attal për “Le Journal Du Dimanche”.

Macron ka thënë se bllokimi i dytë kombëtar i Francës, i cili filloi në 30 tetor, do të zgjasë të paktën katër javë. Izolimi përfshiu mbylljen e dyqaneve, restoranteve dhe bareve jo-esenciale.

Numri i infeksioneve të reja të koronavirusit në Francë u rrit me 17,881 të shtunën./ Burimi Reuters

*Ndalohet publikimi i artikullit pa burimin Tiranapost.al