Lajme nga Bota

Francis Fukuyama: Mos i fshini mendimet

“Të burgosësh gjuhën nuk të ndihmon në zgjidhjen e problemeve. Është harxhim energjish, që të largon nga kërkimi për zgjidhjet konkrete. Për një studiues të demokracisë liberale si unë, mbrojtja e lirisë së fjalës është një prioritet që vjen nga prejardhja ideologjike e sulmeve. Kam firmosur me bindje letrën e Harper’s Magazine të mbështetur nga 150 intelektualë. Dhe pas polemikave, jam edhe më i qartë se pikërisht në një moment si ky duhet të vazhdojmë të shprehim mosdakordësinë tonë.”

Francis Fukuyama: Mos i fshini mendimet

Francis Fukuyama, 67-vjeçar, një ndër politologët më të njohur amerikanë sidomos për librin e tij “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit” si edhe titullin e sapobotuar “Identiteti”, së bashku me Salman Rushdie, Noam Chomsky, Margaret Atwood e të tjerë, i mëshon me forcë apelit për të denoncuar “klimën e intolerancës për mendimet e ndryshime, zakonin e gijotinës publike dhe izolimit” që në Amerikë këto kohë po ndihet së tepërmi.

Çfarë ju shtyu të firmosnit atë letër?

Intoleranca në rritje e qarqeve të caktuara ndaj atyre që përpiqen ta orientojnë debatin përtej disa kufijve të caktuar, të konsideruara si "territore të pasigurta", sepse ato prekin ndjeshmërinë e dikujt. Një tendencë që gjen gjithmonë e më shumë shteg te e majta, edhe pse – kujdes – ajo që po e kërcënon më shumë lirinë e fjalës mbi të gjitha sot është e djathta. Donald Trump dhe rivalët e tij populistë agresivitetin, intolerancën dhe mungesën e korrektësisë i kanë kthyer në flamuj. Por reagimi i ngurtë i së majtës është po aq i rrezikshëm. Gjithashtu sepse të mjaftohesh me fjalët nuk sjell zgjidhje të vërteta.

Letra u kritikua ashpër. Si u përgjigjeni akuzave?

Fakti që është konsideruar kontroverse, është prova më elokuente e asaj që denoncuam. Ai tekst është përhapur shumë dhe polemikat kanë të bëjnë më së shumti me firmëtarët. Me J.K.Rowling për çështjen trans, Ian Buruma për faktin se publikoi një artikull mbi #MeeToo. Më shumë se një proces ndaj qëllimeve të letrës, ishte një proces ndaj individëve. Gjendemi përpara faktit se po izolohen njerëzit që nuk mendojnë si ne. Një shoqëri që nuk pranon këndvështrime të ndryshme është e sëmurë.

Polemika arriti edhe në Europë.
Në Europë nuk ka edhe aq kuptim. Keni ligje kundër gjuhës së urrejtjes apo propagandës fashiste. Ndërsa në Amerikë ne e interpretojmë në kuptimin absolutist amendamentin e parë, atë mbi lirinë e shprehjes. Të mos kesh një kornizë ligjore specifike, është goxha problem.

Si u bë kalimi nga “politikisht korrekt” në “kulturën e fshirjes”?

Një prej arsyeve pse fitoi Trump ishte se e djathta ndjente një farë bezdie ndaj të qenit politikisht korrekt, ndaj vëmendjes gjithmonë e më shumë të fiksuar mbi trajtimin e çështjeve raciale, të gjinisë, të fesë e me radhë. Pakorrektësia e Trump, për shembull imitimi që i bënte personave me probleme fizike nëpër mitingje, shkoi përtej cakut. Po ashtu si fakti se donte të aktivizonte ushtrinë pas vdekjes së George Floyd. E majta reagoi ndaj provokimeve duke u ngurtësuar në të ashtuquajturën "kulturë e fshirjes". Rezultati është se Amerika sot është e ndarë mes dy versioneve kundërshtuese të antiliberalizmit.

Në esenë tuaj të fundit shkruani: “Kërkesa për të njohur identitetin personal është një concept bazë që unifikon pjesën më të madhe të asaj që po ndodh sot në politikën globale”.

Të kuptohemi: Pretendimet e minorancave duhen marrë seriozisht. Por duhet të frenojmë derivimet e identitetit. Për të dhënë një shembull, në lëvizjen trans e quajnë ofensive të flasësh për “seks biologjik”, sepse për ta gjinia është një zgjedhje, e ndryshme nga biologjia. Edhe brenda “Black Lives Matter” ka nga ata që shkojnë përtej denoncimit të dhunës, duke kërkuar hapësira autonomia politike ku pjesëmarrja përcaktohet nga ngjyra e lëkurës. Pra jo çdo pozicion i grupeve progresiste, ose të ashtuquajtura të tilla, përputhet me parimet e demokracisë. Jo të gjithë aktivistët kanë të drejtë, por gjithsesi duhet ditur gjithmonë të përballesh.

Çfarë ndodh me të djathtën?

Shoh që po forcohet tribalizmi që dëmton interesat e veta. Mendoj se si maskat janë bërë flamuj politik. Ndjekësit e Trump nuk i vendosin, sepse i konsiderojnë limitim të lirive personale, një zhvlerësim i parimeve të tyre dhe madje një akt pabesie karshi shefit. Kështu shkojnë nëpër mitingje dhe infektohen. Kjo lëvizje po e bën të harrojnë çfarë është e mirë për veten dhe komunitetin e tyre.

A ka bota e rrjeteve sociale një rol në të gjithë këtë situatë?

Ato përshpejtojnë tendencat. Twitter prodhon më shpejt komente sesa një letër në gazetë. Por në majë qëndron polarizimi i shoqërisë. Këtë nuk e krijuan rrjetet sociale, por kontribuojnë si për ta ndezur debatin, ashtu edhe për ta kufizuar në të njëjtën kohës.

Si dilet nga kjo situatë?

Përmirësimi nuk do të vijë brenda një natë, as nëse fiton Joe Biden. Ai do të sillte shpresa të reja dhe do të ishte një bashkëbisedues edhe për grupet më të ngurta. Me siguri më e keqja që mund të ndodhë, edhe për sa i përket lirisë së fjalës, është një fitore tjetër e Donald Trump. Nëse ai i mbijeton politikisht shkatërrimit të Amerikës sot, ai do të mendonte se ka një mandat për të bërë ashtu si dëshiron, duke injoruar barrierat institucionale, duke ofenduar dhe sulmuar këdo. Do ta çonte të majtën në çmenduri. Dhe nuk po flas për shtrëngim të mëtejshëm ideologjik, por për dhunë në rrugë.