Lajme nga Bota

Frika nga Delta, në shtator të moshuarit gjermanë me dozë të tretë vaksine

Frika nga Delta, në shtator të moshuarit gjermanë me dozë

Qeveria gjermane po diskuton nëse të moshuarit do kenë nevojë për një vaksinë të tretë ndërsa edhe të miturit mund të nisin të vaksinohen kundër Covid. Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn ka propozuar që duke nisur nga shtatori, të moshuarit të marrin një dozë të tretë vaksine, pasi ata konsiderohen kryesisht me sistem të dobësuar imunitar dhe pritet që ky propozim të pranohet.

Sipas mediave gjermane, doza e tretë duhet të jetë vaksinë mRNA për personat që kanë bërë dy dozat me vaksinat Oxford/AstraZeneca ose Johnson & Johnson.

Spahn gjithashtu pritet të konkretizojë propozimin e tij për uljen e moshës për vaksinimin, duke përfshirë kategorinë 12 deri në 17 vjeç.

Nëse miratohet, ky vendim do të shkojë përtej rekomandimit aktual të Komitetit të Përhershëm të Vaksinimit të Gjermanisë për të vaksinuar vetëm të miturit me kushte para-ekzistuese, pra me probleme serioze shëndetësore. Ministri Spahn shkroi në Tëitter të shtunën duke thënë se një në pesë gjermanë në atë grupmoshë kanë marrë dozën e tyre të parë.

Në përgjithësi, 62 % e të rriturve gjermanë kanë bërë të paktën një dozë të vaksinës, tha Spahn, ndërsa 52 % janë plotësisht të vaksinuar.

Ndërkaq, një ditë më parë qeveria gjermane vendosi të shtojë rregullat për kufijtë tokësorë, duke kërkuar testin me pergjigjen negative para udhëtimit drejt Gjermanisë, një kërkesë që më parë ishte në fuqi vetëm për aeroportet. Por përhapja e variantit Delta dhe frika e një vale të re ka alarmuar vendet.

*Artikulli i Politico.eu përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tiranapost.al.