Lajme nga Bota

G7/ Johnson: Të mos përsërisim gabimet e vitit 2008

G7/ Johnson: Të mos përsërisim gabimet e vitit 2008

“Është e një rëndësie kritike që të mos përsërisim gabimet e krizës së kaluar financiare të vitit 2008”- ka thënë kryeministri britanik Boris Johnson përgjatë punimeve të samitit të G7 që zhvillohet në Cornwall të Mbretërisë së Bashkuar.

Johnson ka propozuar që ndryshe nga viti 2008 që u ndoq një politikë e rreptë fiskale, të ketë qasje me sociale përkundrejt pasojave ekonomike që solli mbyllja për shkak të pandemisë. Ndonëse i përket Partisë Konservatore, Johnson, ka nënvizuar rëndësinë e ekzistencës së një “rrjete” sigurie sociale për të garantuar se të gjithë qytetarët do të kenë akses tek një e ardhur minimale për të plotësuar nevojat e tyre jetike.

Gjithashtu, ringritja sipas Johnson duhet të projektohet në mënyrë të tillë që të sjellë edhe barazinë gjinore si dhe konsideratën për ndryshimet klimatike.

Sipas raportimeve të mediave britanike, Johnson i ka thënë kolegëve të tij se pandemia është sa sfidë aq edhe mundësi për të rindërtuar më mirë botën tonë.

Kujtojmë se rikuperimi ekonomik pas vitit pandemik është në krye të axhendës të diskutimeve në G7 dhe presidenti amerikan Joe Biden ka propozuar instalimin e një takse globale prej 15% për të gjitha koorporatat multinacionale me qëllim që fondet e mbledhura të kanalizohen drejt projekteve ekologjike dhe drejtësisë sociale.

Tiranapost.al