Lajme nga Bota

Gjermani/ Sondazhet nxjerrin të Gjelbrit në avantazh 5 muaj para zgjedhjeve federale

Gjermani/ Sondazhet nxjerrin të Gjelbrit në avantazh 5 muaj para

Trendi statistikor i muajve të fundit që nxirrte të Gjelbrit gjithmonë duke iu afruar CDU-së në sondazhe ka vazhduar edhe pas vendimit të konservatorëve për të konfirmuar Armin Laschet si kandidatin zyrtar për postin e kancelarit.

Sondazhi i sondazheve (mesatarja aritmetike e të gjitha rezultateve të kompanive dhe mediave) nxjerr të Gjelbrit më lart se partia e Angela Merkel për herë të parë në historinë e demokracisë gjermane.

Ky parakalim përbën lajm për shkak se skena partiake në Gjermani, ndryshe nga ajo në Francë dhe Itali është më e qëndrueshme dhe që prej vitit 2005 konservatorët kanë qenë në avantazh dhe distancë sigurie prej kundërshtarëve. Por, mesa duket, pas 16 vitesh qeverisje dhe një keqmenaxhimi të situatës së pandemisë, së bashku me mungesën e një lideri të ri karizmatik të së djathtës, konservatorët e gjejnë veten të dytët.

Aktualisht të Gjelbrit projektohen në 27%, përkundrejt 24% të CDU/CSU-së. Stefan Merz, drejtori i kompanisë gjermane të sondazheve “Infratest Dimap” ka thënë se në rast se këto shifra nuk ndryshojnë përgjatë dy-tre javëve në vazhdim, do të jetë shumë e vështirë për konservatorët që të formojnë një qeveri të re, edhe sikur të dalin të parët, pasi bashkimi i partive të majta do të krijonte shumicën në Bundestag.

“Pas shumë vitesh që ka pasur shumë pak lëvizje brenda hierarkisë të partive politike në Gjermani, ka një ndjesi që gjërat do të ndryshojnë dhe jemi në prag të një ndryshimi historik”- ka thënë Merz për “The Guardian”.

Tiranapost.al