Lajme nga Bota

Gjermania ashpërson masat ndaj koronavirusit. Deri në 25 mijë euro gjobë kush shkel rregullat

Gjermania ashpërson masat ndaj koronavirusit. Deri në 25 mijë

Gjermania ka ashpërsuar sot rregullat për dalje jashtë shtëpive apo banesave. Në dy javët e ardhshme në Gjermani ndalohen kontaktet mes njerëzve jashtë familjeve. Ndalohet dalja në rrugë e më shumë se dy personave së bashku. Mund të dalin edhe më shumë persona së bashku, por vetëm nëse janë anëtarë të një familje të ngushtë. Qëllimi nuk është ndalimi i daljes së njerëzve jashtë, por ndalimi i kontakteve sociale dhe ndërprerja e zinxhirit të përhapjes së COVID-19. Kështu u vendos në një konferencë telefonike të zhvilluar mes kancelares Angela Merkel dhe kryeministrave të landeve të Gjermanisë.

Kancelarja deklaroi pas takimit se këto masa janë të domosdoshme, për të ngadalësuar përhapjen. "Ne ende nuk kemi medikamente dhe vaksina. Ndaj duhet të ndërmarrim masa për parandalimin e përhapjes së virusit", theksoi Merkel. "Vetëm me respektimin e rregullave mund të shpëtojmë jetën e njerëzve", shtoi ajo. Kancelarja tha se edhe ajo vet ka reduktuar të gjitha kontaktet dhe takimet që nuk janë të domosdoshme dhe pak minuta pas konferencës mori lajmin që mjeku që i injektoi vaksinën e pneumokokut rezultoi pozitiv ndaj COVID-19. Kështu kancelarja u vetëkarantinua.

Prej ditës së hënë (23.03.2020) njerëzit lejohet të shkojnë te mjeku, në farmaci, në punë apo në dyqane. Lejohet edhe dalja për shëtitje dhe sport, por vetëm nëse personat dalin vet ose me një person dhe ate në largësi prej më së paku 1,5 metra. Vendimi i sotëm parashikon mbylljen e lokaleve. Ato mund të punojnë, por vetëm për porosi me telefon.

Kryeministri i landit të Renanisvë Veriore Vestfalisë, Armin Laschet si dhe krerët e disa landeve të tjera bënë të ditur se ata që shkelin këto rregulla, do të denohen me gjobë deri në 25.000 Euro.