Lajme nga Bota

Gjermania fillon zyrtarisht negociatat për marrjen e vaksinave ruse Sputnik V

Gjermania fillon zyrtarisht negociatat për marrjen e vaksinave ruse Sputnik

Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn ka lajmëruar homologët e tij europianë se Berlini ka nisur zyrtarisht negociatat me Rusinë për t’u furnizuar me vaksinën Sputnik V.

Lajmin e bën të ditur “Reuters”, që gjithashtu raporton se po negociohet për importimin e 2.5 milion dozave, të cilat Rusia ka deklaruar se është në gjendje t’i dorëzojë në një kohë shumë të shpejtë. Vendimi unilateral i Gjermanisë që të negociojë me Moskën e vetme dhe jo si pjesë e BE ka ngritur shqetësime në lidhje me unitetin e politikës së jashtme europiane.

Komisionerja europiane e Shëndetësisë Stella Kyriakidhis është shprehur se KE nuk mund të mbështesë importimin e vaksinave të cilat ende nuk janë certifikuar nga Agjencia Europiane të Medikamenteve.

Vendimi i Gjermanisë, ngre jo pak pikëpyetje në Bruksel, në një kohë që BE ka vendosur sanksione përkundrejt Kremlinit për shkak të çështjes Navalny, por edhe manovrave ushtarake në lindje të Ukrainës. Vështirë të besohet se Moska do të japë vaksinat pa kërkuar koncesione politike, veçanërisht në kushtet e krizës politike që është shkaktuar në Gjermani për shkak të mungesës së vaksinave.

Tiranapost.al