Lajme nga Bota

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendos pro bërjes së vaksinave me detyrim

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendos pro bërjes

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka marrë një vendim që mund të ketë pasoja shumë të rëndësishme në fushën e shëndetit publik për vitet që do të vijnë.

Sipas vendimit të marrë në shqyrtim të çështjes së një familjeje çeke, Gjykata ka vendosur se vaksinimi i detyrueshëm mund të jetë i ligjshëm, përsa kohë që detyrimi aplikohet për të gjithë shoqërinë dhe jo për disa grupe apo individë.

Ndonëse vendimi është marrë në lidhje me çështjen e vaksinës së moshës, për një fëmijë çek, familja e së cilës nuk beson tek praktika e vaksinimit, pasojat edhe për vaksinat anti-COVID janë evidente.

Sipas arsyetimit të Gjykatës që ka bashkëshoqëruar vendimin “në një shoqëri demokratike” mund të jetë e domodoshme vaksinimi me detyrim për të garantuar shëndetin publik.

Vendimi është ndeshur me kundërshti të ashpër të disa grupeve të të drejtave të njeriut që citojnë Nenin 8 të "Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut", sipas të cilit integriteti fizik i çdo njeriu nuk mund të cënohet pa miratimin e tij.

Kujtojmë se sipas sondazheve të opinionit publik 8-20% të perëndimorëve shprehen kundër marrjes së vaksinave anti-COVID për shkak të mosbesimit ndaj tyre, apo edhe teorive të konspiracionit që qarkullojnë. Ende nuk dihet nëse ky vendim do të përdoret si precedent juridik nga shtetet për të imponuar vaksinim me detyrim.

Tiranapost.al