Lajme nga Bota

Hapja e kufijve të BE-së në korrik: Amerikanët s'lejohen, çfarë kriteresh kërkohen dhe a i plotëson Shqipëria?

Hapja e kufijve të BE-së në korrik: Amerikanët

Ambasadorët e Bashkimit Europian mblidhen sot për të planifikuar rihapjen e kufijve të jashtëm nga 1 korriku e tutje, dhe deri më tani diskutohet që qytetarët amerikanë të mos lejohen. Kjo për shkak të nivelit të lartë të infeksionit. Disa vende europiane dëshirojnë të hapen për turistët, por të tjerë po mendojnë me kujdes për shkak të situatës me koronavirusin.

Blloku me 27 vende anëtare (BE) duhet të bien dakord për masat që vendet jo nga BE duhet të përmbushin para se të vendoset për listën e plotë të vendeve të sigurta.

Deri më tani flitet që SHBA, Brazili dhe Rusia mund të lihen jashtë listës së vendeve të sigurta, për shkak të shkallës së gjerë të infeksionit.

Ngërçi qëndron tek mënyra se si do të vlerësohen këto vende lidhur me plotësimin e standardeve. Një pjesë e problemit është edhe vlerësimi i të dhënave të besueshme shëndetësore.

Komisioni Evropian po këshillon ambasadorët që të marrin në konsideratë vetëm vendet që kanë të dhëna të krahasueshme ose të përafërta me mesataren e BE-së për nga niveli i të infektuarve, si dhe numrin e testimeve dhe gjurmimet e kontakteve.

Sipas një raporti të cituar nga BBC, thuhet se vendet anëtare kanë dy lista në vlerësim: Në listën e parë po vlerësohet të hapen kufijtë për vendet me më pak se 16 raste për 100 mijë njerëz dhe lista tjetër deri në 20 raste, ku përfshihet Kanadaja dhe Turqia.

Ndërsa New York Times shkruan se lista do të rishikohet çdo dy javë, që do të thotë se qytetarët amerikanë mund të përfshihen më vonë dhe të lejohen të udhëtojnë.

Një tjetër kriter që po merret parasysh është reciprociteti dhe lidhja me BE. Për shembull, Franca dëshoron që BE tu japë qasje vendeve fqinje, ndërsa Spanja pritet të hapë kufirin me Marokun.

Në fillim të këtij muaji, Komisioni Evropian gjithashtu theksoi se rihapja e kufijve me shtetet jo-BE të Ballkanit Perëndimor është një përparësi dhe me gjasë qytararët e rajonit, ku bën pjesë edhe Shqipëria mund të lejohen  të udhëtojnë në BE nga 1 korriku.

Por pritet që masat, rregullat dhe lista e plotë me vendet e lejuara të publikohet në ditët në vijim.