Lajme nga Bota

Humbje apo fitore, Trump tashmë ka ndryshuar botën

Humbje apo fitore, Trump tashmë ka ndryshuar botën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk është vetëm udhëheqësi i vendit të tij, ai është ndoshta personi më i fuqishëm në Tokë. Ajo që bën ai ndryshon jetën për të gjithë ne. Por si saktësisht e ka ndryshuar botën Trump?

Kështu e nis shkrimin BBC për Presidentin e SHBA, Donald Trump, i cili më 3 nëntor do të përballet me një nga sfidat më të mëdha elektorale të tij që do i sjellë fitoren për mandatin e dytë ose humbjen.

Si e sheh bota Amerikën

Presidenti Trump ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se SHBA "është vendi më i madh në botë". Por sipas një sondazhi të kohëve të fundit me 13 kombe nga Qendra Kërkimore Pew, ai nuk ka bërë shumë për imazhin e saj jashtë Amerikës.

Në shumë vende evropiane, përqindja e popullsisë me një imazh pozitiv për Amerikën është në nivelin më të ulët për gati 20 vjet. Në UK, 41% kishin një mendim të favorshëm, ndërsa në Francë ishte 31%, më e ulta që nga viti 2003, dhe në Gjermani vetëm 26%.

Përgjigja e Amerikës ndaj pandemisë së koronavirusit ishte një faktor kryesor ku vetëm 15% e të anketuarve menduan se SHBA e kishin trajtuar mirë situatën me virusin, kjo sipas shifrave nga korriku dhe gushti.

Hap prapa për ndryshimin e klimës

Është e vështirë të përcaktohet ajo që Presidenti Trump beson në lidhje me ndryshimin e klimës, pasi ai e ka quajtur atë gjithçka, nga "një mashtrim i shtrenjtë", në "temë serioze" që ka rëndësi për të. Ajo që është e qartë është se në gjashtë muaj punë, ai tronditi shkencëtarët duke njoftuar tërheqjen e Amerikës nga marrëveshja e klimës në Paris, e cila angazhoi gati 200 vende për të mbajtur temperaturën globale në një standart jo më të lartë se 2C.

SHBA është emetuesi i dytë më i madh i gazrave serë pas Kinës dhe studiuesit kanë paralajmëruar që nëse Trump rizgjedhet, mund të bëhet e pamundur të mbahet nën kontroll ngrohja globale.

Kufijtë e mbyllur, për disa

Presidenti Trump vendosi tezgën e tij për emigracionin vetëm një javë pas inaugurimit si president, duke mbyllur kufijtë e SHBA për udhëtarët nga shtatë vende me shumicë myslimane. Aktualisht 13 kombe i nënshtrohen kufizimeve të shtrënguara për të udhëtuar në Amerikë.

Rritja numrit të 'lajmeve të rreme'

Presidenti Donald Trump nuk e shpiku termin "lajme të rreme", por është e drejtë të thuhet se ai e popullarizoi atë. Sipas postimeve të mediave sociale, ai e ka përdorur frazën “lajme të rreme" rreth 2,000 herë që nga postimi i parë në Twitter në dhjetor të 2016-ës.

Në retorikën e Trump ‘fake news’ ishte një nga fjalët e preferuara të tij kur atij i duhej të përballej me lajme kundër tij, mediat kundër tij apo gazetarët.

1.1 bilion rezultate dalin në ”Google” në rast se klikon ‘Fake News’ dhe ky term i përhapur nga Trump tashmë përdoret në gjithë vendet e tjera të botës dhe liderët.

‘Luftërat e pafunda’ dhe marrëveshja për Lindjen e Mesme

Trump në politikën e jashtme ka bërë shumë armiq, duke sulmuar shtete kryesisht diktatoriale teksa ka shënuar arritje në Lindjen e Mesme. Ai në 2019 tërhoqi trupa ushtarake amerikane nga Siria. Në 2018 njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosi ambasadën amerikane aty teksa ndërmjetësoi marrëveshjet mes Izraelit dhe UAE e Bahrein për normalizim të marrëdhënieve mes tyre.

Arti i marrëveshjeve tregtare

Që në ditën e parë në detyrë Trump ai hodhi poshtë marrëveshjen Trans-Paqësor që e quajti të tmerrshme. Nga kjo përfitoi Kina. Trump gjithashtu rinegocioi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut me Kanadanë dhe Meksikën për të cilat kishte pakënaqësi. Gjithashtu ai i hapi luftë Kinës në tregti duke e parë si kundërshtaren më të fuqishme.

Grindja me Kinën 

Trump nuk e ka pëlqyer asnjëherë Kinën dhe në tregti e ka goditur disa herë, përfshi bllokimin e aplikacioneve të saj popullore TikTok dhe ËeChat si dhe futjen në listën e zezë të gjigandit të telekomunikacionit kinez Huaëei si kërcënim i sigurisë kombëtare. Pandemia është një histori aktuale pasi Trump ka akuzuar qartë Kinën duke e quajtur madje COVID-19 quan ”Virusi kinez”.

Prag- lufta me Iranin

Trump hodhi hapa konkretë kundër Iranit duke i vrarë gjeneralin e lartë Qassem Soleimani në Irak të cilin e cilësonte terrorist. Irani u kundërpërgjigj me raketa balistike afër dy bazave amerikane në Irak duke i dëmtuar 100 trupa amerikane. Po ashtu një avion ukrainas u rrëzua në Iran pasi u rrëzua nga autoritetet, teksa ende qëllimet mbetën të paqarta. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve pësuan krizë të thellë teksa SHBA sanksiononte Iranin, përfshirë marrëveshjen bërthamore të 2015 teksa akuzat vijojnë dhe gjatë pandemisë.

*BBC