Lajme nga Bota

Hungaria dhe Polonia bllokojnë buxhetin e BE-së

Hungaria dhe Polonia bllokojnë buxhetin e BE-së

Hungaria dhe Polonia janë dy shtetet që vunë veton kundër planit financiar të BE-së deri në vitin 2027 si dhe paketën e ndihmës për situatën e pandemisë që ishte e përfshirë. Që buxheti të miratohej, kërkohej një votim unanim nga 27 shtetet e BE-së.

Deutsche Welle shkruan se dy shtetet morën këtë vendim si një shenjë proteste kundër procedurës së re të BE, për ndëshkimin e shkeljeve në sundimin e ligjit. Hungaria dhe Polonia penguan që procesi i vendimmarrjes politike të vazhdojë siç ishte planifikuar.

Ndihma e planifikuar e rimëkëmbjes për coronën kapte vlerën deri në 750 miliard euro.

Për shtatë vitet e ardhshme ai përfshinte fonde që arrijnë në gati 1.1 miliard euro dhe financon për shembull, grante për bujqësinë dhe programe kërkimore. DW komenton se BE po hyn kështu edhe një herë në krizë serioze politike, ndërkohë që Corona mbetet kriza më aktuale në gjithë botën.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen duhet të mblidhen sërish se çfarë do bëjnë tani. Mosmarrëveshja ka gjasa të sjellë një video-konferencë mes krerëve të shteteve dhe qeverive. 

Nga viti 2021 ndoshta do ketë vetëm buxhet emergjence

Po të mos miratohet paketa financiare, BE do të ketë vetëm një buxhet emergjent duke nisur nga viti i ardhshëm. Përveç kësaj, nuk mund të livrohen ndihmat për Coronan, me të cilat synohet  të shpëtohen vende si Italia dhe Spanja nga kolapsi ekonomik.

Shpërndarja e fondeve të para qe planifikuar të bëhej gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021. Për këtë nevojitet edhe një proces i ndërlikuar ratifikimi, përveç nevojës për të avancuar në vendimet e bllokuara të hënën (16.11.) Sipas informacionit nga Komisioni Evropian, me çështjen e ratifikimit duhet të merren parlamentet kombëtare në pothuajse të gjitha vendet e BE.

Mosmarrëveshja mbi mekanizmin e sundimit të ligjit

Procedura për mbrojtjen e sundimit të ligjit, e kritikuar nga Hungaria dhe Polonia, parashikon shkurtimin e fondeve të BE në të ardhmen, në rast të shkeljeve të caktuara të vlerave bazë të BE. Ky instrument vërtet duhet të përdoret vetëm kur ekziston rreziku i keqpërdorimit të fondeve të BE. Megjithatë, kjo mund të ndodhë edhe kur mungesa e pavarësisë nga gjykatat ngre shqetësime të justifikuara se vendimet mbi shpërndarjen e fondeve të BE nuk mund të kontrollohen më në mënyrë të pavarur. Qeveritë e Hungarisë dhe Polonisë janë akuzuar vazhdimisht për zgjerimin e ndikimit të tyre në pushtetin gjyqësor.

*Artikulli referuar Deutsche Welle/ Tiranapost.al