Lajme nga Bota

I hoqi fondet OBSH-së, si reagoi bota për vendimin e Trump?

I hoqi fondet OBSH-së, si reagoi bota për vendimin e Trump?

Presidenti amerikan mori sot një vendim të cilin e paralajmëroi: Heqjen e fondeve për Organizatën Botërore të Shëndetit. Trump akuzoi OBSH se nuk e trajtoi si duhet pandeminë e koronavirusit duke mbajtur anën e Kinës. Fondet që jepeshin për OBSH tani do të shkojnë për vende ku ka nevoja emergjente për shëndetin publik, deklaroi Trump.

 “Ne ia bëmë me dije reformat që duhet të ndërmerrte, por OBSH refuzoi që të vepronte. Për këtë arsye ne sot i japim fund marrëdhënies sonë me OBSH dhe fondet që ishin caktuar për të do të drejtohen në vende të tjera të botës, ku ka nevoja emergjente për shëndetin publik. Bota ka nevojë të marrë përgjigje nga Kina për koronavirusin. Duhet transparencë”.

Po reagimet si kanë qenë?

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leye dhe diplomati i lartë i BE-së Josep Borrell kanë dalë me një deklaratë ku shprehen:

Përballë këtij kërcënimi global, tani është koha për bashkëpunim të zgjeruar dhe zgjdhje të përbashkëta. Duhet të shmangen veprimet që dobësojnë rezultatet ndërkombëtare. Ne i bëjmë thirrje SHBA të rishqyrtojë vendimin.

Ministri gjerman i shëndetësisë Jens Spahn e përshkroi vendimin si "zhgënjyes", megjithëse ai pranoi se OBSH ka nevojë për reformë.

"BE duhet të marrë një rol udhëheqës dhe të angazhohet më financiarisht," tha ai mes të tjerash.

Nga Britania u tha: Koronavirusi është sfidë globale dhe OBSH ka rol me rëndësi për të udhëheqyr reagimin ndërkombëtar shëndetësor. Ne nuk kemi asnjë plan për të tërhequr fondet tona.

Kryetari i Komitetit të Shëndetit të Senatit në SHBA, Lamar Alexander, tha se masa mund të pengojë zbulimin e një vaksine kundër Covid-19 dhe kërkoi një përmbysje të vendimit.

Anders Nordstrom, ish drejtor i përgjithshëm i OBSH-së, tha që ishte thellësisht i shqetësuar dhe se masa do të rrisë tensione politike në një kohë kur duhet të kemi solidaritet global.

Ministri i shëndetësisë i Afrikës së Jugut Zweli Mkhize e quajti vendimin; fatkeq.

Shtetet anëtare të OBSH-së ranë dakord më 19 maj për të ngritur një hetim të pavarur për përgjigjen globale ndaj pandemisë.