Lajme nga Bota

Ishte roje në kampet e përqëndrimit në Gjermani! 100-vjeçari do të gjykohet për krime lufte

Ishte roje në kampet e përqëndrimit në Gjermani!

Një i moshuar plot 100 vjeç do të përballet me drejtësinë gjermane, pasi u zbulua se ka shërbyer në kampin nazist të përqëndrimit “Sachsenhausen” pranë Berlinit, ndonëse Lufta e Dytë Botërore ka përfundur plot 76 vite më parë.

Lajmin e njofton media gjermane “Welt am Sonntag”, që bën me dije se gjykata e Neuruppin ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të gjykuar 100-vjeçarin që akuzohet për 3500 vrasje të kryera në bashkëpunim gjatë kohës që shërbente si roje në një prej kampeve famëkeqe të regjimit nazist, të ndërtuara për eksterminimin e hebrenjve dhe grupeve të tjera të konsideruara si inferiore në ideologjinë e Adolf Hitlerit.

Emri i të akuzuarit nuk bëhet publik, në përputhje me ligjin gjerman, por njoftohet se ai ka shërbyer në kampin e përqëndrimit përgjatë periudhës 1942-1945. Në Saschenhausen kanë vuajtur persekutimin mbi 200 mijë kundërshtarë të regjimit nazist, dhjetëra mijëra prej të cilëve kanë humbur jetën.

Tiranapost.al