Lajme nga Bota

Italia i fut të gjithë në listë, Franca s'llogarit ata nga shtëpia: Ja pse ka kaq dallime në rastet e vdekshmërisë nga Covid-19

Italia i fut të gjithë në listë, Franca s'llogarit ata

Dallimet e mëdha mes rasteve të vdekshmërisë nga Covid-19 në vende të ndryshme të botës, lënë shumë pyetje për të shtruar, kryesisht mbi mënyrën se si po e ndjekin këtë pandemi.

Në rrjetet sociale por edhe ekspertë kanë kritikuar mbi mënyrën se si vende si Gjermania dhe Holanda nuk po tregojnë shifra reale të viktimave, shumë prej tyre duke mos i futur në listën e viktimave të koronavirusit, ndërsa flitet se Anglia u merr leje të afërmve të viktimës nëse duan ta shtojnë në listën e viktimave nga Covid-19.

Ekspertët e epidemiologjisë thonë se qeveritë nuk po e ndjekin si duhet situatën.

Për shembull, në Spanjë sipas tyre, nuk po përfshihen tek lista e viktimave të moshuarit që nuk janë shtruar në spital por që kanë ndërruar jetë nga virusi.

Për të mos folur më pas për numrin real të të infektuarve me virusin. Ka shumë pak njerëz që po testohen nëpër botë, siç është rasti në Spanjë ku ka mungesë të theksuar të testeve.

Ndërsa Italia po i liston të gjithë pacientët që rezultuan pozitiv e ndërruan jetë, pavarësisht historikut të tyre klinik.

Në Francë, autoritetet llogarisin vdekjet vetëm në 600 spitalet e vendit, duke lënë jashtë skemës të moshuarit që vdesin në shtëpi, ose në një nga 7000 azilet. Por duke parë numrin e lartë të rasteve të vdekjeve nga shtëpia, presidenti Macron njoftoi se nga kjo javë do të procedohet ndryshe dhe do të futen të gjithë në një skemë.

Në Gjermani, ku shkalla e fatalitetit është vetëm 0.72%, ka pasur disa polemika në lidhje me faktin se shifrat e raportuara çdo ditë nga Instituti Robert Koch (RKI) tregojnë vonesë mbi ato të lëshuara nga Universiteti Johns Hopkins, që i jep shifrat në kohë reale.

Një tjetër shqetësim mbeten ata që kanë ndërruar jetë por që nuk e kanë bërë testin për koronavirus, edhe për të mos harxhuar testet.

Në Holandë, testet bëhen vetëm për pacientët e shtruar në spital. Numri real ka gjasa të jetë më i lartë sesa raportimi zyrtar.

Megjithatë rëndësi në këtë kohë ka vaksina.

Në nivel global janë 873,008 të infektuar, 43,275 viktima dhe 184,596 të shëruar.