Lajme nga Bota

Italia ndalon mishin e kultivuar në laborator

Italia ndalon mishin e kultivuar në laborator

Italia miratoi këtë të premte projektligjin i cili ndalon prodhimin dhe vendosjen në treg të ”mishit të kafshëve të përbërë ose të prodhuar nga kultura qelizore ose inde që rrjedhin nga kafshët vertebrore, si dhe ndalimi i emrit mish për produktet e përpunuara që përmbajnë proteina bimore”.

Siç u publikua nga agjencia e lajmeve ANSA, qeveria italiane e përcolli masën “shoqëruar me një letër që informonte Komisionin Europian se projektligji ishte miratuar.

Qëndrimi i qeverisë italiane ndaj mishit të kultivuar është i njohur prej disa kohësh. Tashmë në muajin mars, ministri i Bujqësisë dhe Sovranitetit Ushqimor, Francesco Lollobridgeta, kishte folur kundër mishit të kultivuar ndërsa vetëm pak javë më parë kishte theksuar se “’mishrat’ e prodhuar në laborator, rrezikojnë të minojnë kulturën, identitetin dhe qytetërimin italian”.

Në Europë, Holanda ka miratuar tashmë kultivimin e mishit që nga korriku.