Lajme nga Bota

Italia në prag të mosbindjes: Pronarët nuk mbyllin lokalet: Më mirë gjobë se nuk shtyhet më

Italia në prag të mosbindjes: Pronarët nuk mbyllin lokalet:

Bizneset italiane kanë filluar të veprojnë kundër rregullave të qeverisë të vendosura për shkak të pandemisë Covid duke treguar kështu për një ‘mosbindje civile’ edhe nga ana e qytetarëve të cilët thonë se janë të lodhur nga kufizimet. Italia miratoi kufizimet pak para Krishtlindjeve që prej asaj kohe pak gjëra kanë ndryshuar në baza rajonale, në varësi të të dhënave epidemiologjike.

Restorantet dhe kafenetë në disa rajone janë detyruar të mbyllen ose që të funksionojnë vetëm me shërbim delivery që të shmangin grumbullimet, sidomos ato që kanë vetëm ambient të brendshëm. Por disa biznese të tjera të ngjashme kanë filluar të protestojnë duke kërkuar rregulla më të qarta dhe më të drejta për to nga qeveria.

Restoranti i njohur në Romë me pronarin Max Vietri, u mbajt hapur pavarësisht masave anti Covid që aktualisht janë në fuqi në kryeqytetin e Italisë.

Në një intervistë, Vietri tha: "Nëse kjo mosbindje civile është e suksesshme, unë do të doja të qëndroja hapur. Unë gjithmonë kam dashur të qëndroj hapur. Unë nuk dua të mbyllem më. Duhet të jemi të gjithë njësoj, si në mars, unë do isha dakord me këtë, por ju nuk mund të më detyroni të mbyll biznesin tim dhe të lini bizneset e tjera të hapura. Ju duhet të keni rregulla të qarta. Kjo është një Qeveri që ndryshon rregullat çdo javë. Kjo është absurde."

Biznesmeni Armando Minotti tha se është i gatshëm të gjobitet, por dëshiron ta mbajë restorantin e tij të hapur pas muajsh të mbyllur me forcë.

Minotti thotë: "Ne nuk mund ta bëjmë më këtë. Kjo është ajo që ne mund ta quajmë një protestë të sjellshme. Me siguri policët do të vijnë, por ne do t'i lëmë të futen brenda. Ne do të marrim një gjobë, por ne kemi vendosur të qëndrojmë të hapur dhe nuk do të mbyllemi më. Sepse është e pamundur të vazhdohet kështu".

Francesca Lazzerin, një pronare restoranti në Torino, njoftoi se ajo u detyrua të mbyllet tërësisht për pesë ditë pasi mori pjesë në protestën "Voglio Aprire" në fillim të kësaj jave, si dhe duke u shërbyer darkë klientëve pavarësisht urdhrit të bllokimit.

Restorantet, pub-et dhe kafenetë në të gjithë Italinë janë lejuar të qëndrojnë të hapura për publikun në ato rajone të shënuara si zona të Verdha, me orar të kufizuar, por në të gjitha Zonat Portokalli dhe të Kuqe ato qëndrojnë të mbyllura dhe vetëm me shërbim delivery.  

Pesë rajone italiane aktualisht janë nën nivelin më të ulët të kufizimeve, ndërsa 13 janë me rrezik të mesëm. Lombardia, Siçilia dhe provinca autonome e Bolzanos do të lëvizin në nivelin më të lartë të kufizimeve nga e nesërmja.

Edhe studentët po ankohen pasi duan të kthehen fizikisht në shkollë.

Kryeministri Giuseppe Conte ka paralajmëruar se Italia mund të përballet me valën e tretë të pandemisë nëse nuk respektohen masat. Ai tha:

"Një rritje e infeksioneve me mutacionin e ri të virusit po vjen edhe tek ne pas Britanisë së Madhe, Irlandës dhe Gjermanisë. Nuk do të jetë e lehtë, ne duhet të vazhdojmë të bëjmë disa sakrifica".

*Tiranapost.al.