Lajme nga Bota

Italia rrit gjobat për shkelësit deri në 3000 euro. Conte sqaron diskutimet se masat do zgjasin deri më 31 korrik

Italia rrit gjobat për shkelësit deri në 3000 euro. Conte sqaron

Qeveria italiane publikoi sot një dekret të ri që rrit shumën e gjobave për ata që shkelin rregullat e caktuara, nga 400 deri në 3000 euro.

Sipas dekretit të Këshillit italian të Ministrave të gjithë ata që udhëtojnë apo lëvizin nëpër qytet dhe jashtë territorit, pa pasur një arsye dhe pa marrë leje, do të ndëshkohen me gjobë që varion nga 400 dhe 3000 euro.

“Presidentët e rajoneve dhe provincave gjithashtu mund të miratojnë masa të tjera kufizuese edhe më të rënda, por që do të ketë një koordinim me qeverinë”, tha kryeministri Giuseppe Conte në një konferencë për media.

Lidhur me kohëzgjatjen e situatës së emergjencës në vend, Conte sqaroi:

“Jemi gati që t’i lehtësojmë masat në çdo moment, shpresojmë që sa më shpejt. Ka pasur diskutime se emergjenca mund të zgjasë deri në 31 korrik: nuk është absolutisht e vërtetë. Në fund të janarit, ne miratuam emergjencën kombëtare, pak pasi OBSH dekretoi një emergjencë për një epidemi globale. Emergjenca u shpall deri më 31 korrik. Nuk do të thotë se masat shtrënguese do të zgjasin deri më 31 korrik”./ Burimi ilmessaggero