Lajme nga Bota

Italia shtyn gjendjen e jashtëzakonshme deri në fund të prillit: Kemi përkeqësim të situatës me Covid

Italia shtyn gjendjen e jashtëzakonshme deri në fund të prillit:

Qeveria italiane do të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme deri me datë 30 prill. Lajmi u bë me dije nga miinstri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza. Në konferencën për shtyp ministri tha se situata me virusin këtë javë është përkeqësuar: "Këtë javë ka pasur një përkeqësim të përgjithshëm të situatës epidemiologjike në Itali. Epidemia është sërish në një fazë zgjerimi".

Minitri bëri thirrje për një përpjekje të përbashkët për të luftuar virusin dhe se Italia ndodhet në miljen e fundit të kësaj beteje me virusin: Por muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë, shtoi ai.

Ai njoftoi dhe masat e reja të përfshira në dekretin e fundit të shpalljes së emergjencës, që do të hyjë në fuqi me datë 16 janar. Ministri pohoi se qeveria synon të konfirmojë ndalimin e lëvizjeve midis rajoneve dhe të ndalojë shërbimin në lokale pas orës 18.00, si dhe rihapjen e muzeve në zonat e verdha. Ai tha se qeveria do të shtojë një kategori të katërt në sistemin aktual me tre nivele të kufizimeve, me krijimin e një "zone të bardhë" me rrezik të ulët, ku të gjitha bizneset mund të hapen, duke përfshirë palestrat dhe pishinat.

Por çfarë do të thotë gjendje e jashtëzakonshme?

Gjendja e jashtëzakonshme u jep autorizime të veçanta autoriteteve kombëtare dhe rajonale në trajtimin e shpejtë të pasojave nga kriza covid-19, duke shkurtuar burokracinë për të zbatuar rregulla dhe ndryshime ligjore, modifikime ose revokime ndaj masave të urgjencës nëse kërkohet. Gjendja e jashtëzakonshme e Italisë u shpall që në 31 Janar të vitit 2020. Pritej të mbarojë më 31 Janar 2021, por qeveria do të zgjasë masën deri më 30 Prill 2021.

Që pas shpërthimit të pandemisë, Italia ka regjistruar 79,819 vdekje nga Covid, numri i dytë më i lartë në Evropë sa u përket viktimave dhe në rang botëror renditet i gjashti.

*La Repubblica/ Tiranapost.al.